RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

Dështon mocioni kundër Zaevit, opozita nuk bën kuorumin e nevojshëm prej 61 deputetësh

12/11/2021

Dështon mocioni kundër Zaevit, opozita nuk bën kuorumin e nevojshëm prej 61 deputetësh

Ka dështuar tentativa e parë e opozitës maqedonase për ta rrëzuar kryeministrin Zaev dhe qeverinë e tij. Opozita pretendon se ndalimi pa vullnetin e vet i njërit prej deputetëve e bëri të pamundur kuorumin e duhur.

Kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, arriti të enjten ta shmangë mocionin për rrëzimin e qeverisë së tij, pasi opozita nuk i siguroi dot votat e nevojshme.

Pak para mesnatës, kryetari i parlamentit, Talat Xhaferi, konstatoi mungesë kuorumi apo më pak se 61 deputetë që do duheshin për seancën.

Opozita maqedonase dhe ajo shqiptare u larguan me aludimin se partitë në pushtet kishin kapur dhe "rrëmbyer" Kastriot Rexhepin, deputetin e Lëvizjes Besa që ditë më parë firmosi për ta rrëzuar qeverinë.

Rexhepi u shpreh me videomesazh se ndërroi mendje pasi mund të dëmtonte aspiratat euroatlantike të vendit.

"Kjo që ndodhi në Parlament janë metoda të shekullit të 16-të dhe 17-të. Ai duhet të kishte ardhur në Parlament dhe të kishte votuar kundër. Ky është turp i madh për demokracinë," deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Lidhja Socialdemokrate e Zaevit i hodhi poshtë pretendimet e opozitës.

"Mickoski gënjeu më parë kur tha se ka shumicën, madje ne, shumica aktuale parlamentare, do vijmë duke u rritur. Vetëm për të ardhur në pushtet u bashku me ata që janë anti-NATO, anti-BE."

Opozita maqedonase nuk do të ketë të drejtë të kërkojë mocion tjetër mosbesimi për 90 ditët e ardhshme pa siguruar të paktën 61 firma deputetësh.

Ndërkohë kryeministri Zaev, bashkë me partinë Bashkimi Demokratik për Integrim e Ali Ahmetit, vijon misionin që ai e nisi në vitin 2017 dhe u mandatua sërish nga qytetarët në qershor 2020.