RTSH 24 Live

Kosovë

Dështimi i votimeve në veri, qeveria e Kosovës: S’ka vullnet për të shkarkuar kryetarët aktualë

22/04/2024

Dështimi i votimeve në veri, qeveria e Kosovës: S’ka vullnet për të shkarkuar kryetarët aktualë

Qeveria e Kosovës ka reaguar lidhur me dështimin e zgjedhje në komunat në veri të Kosovës që u mbajtën më 21 prill për shkarkimin ose jo të kryetarëve aktualë.

Duke shprehur keqardhjen për pjesëmarrjen shumë të ulët në votime, Qeveria shprehet se rezultatet tregojnë që nuk ka vullnet për shkarkimin e kryetarëve aktualë.

Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh keqardhje për pjesëmarrjen e ulët në votimin e djeshëm dhe falënderon ata të cilët ushtruan të drejtën e tyre demokratike dhe ligjore. Jemi të vetëdijshëm ndaj rrethanave në katër komunat në veri të Kosovës, sidomos trysnisë së madhe të ushtruar nga autoritetet e Beogradit ndaj qytetarëve serbë të Kosovës në këto komuna. Rezultatet e votimit të djeshëm tregojnë që nuk ka vullnet për t’i shkarkuar kryetarët aktualë”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu Qeveria e Kosovës ka komentuar edhe bojkotimin që i bëri zgjedhjeve Lista Serbe, ku tha se ishin këta të fundit që fillimisht ishin shkaktare e zgjedhjeve të 23 prillit përmes dorëheqjes së kryetarëve të saj, e pastaj inicuese e votimit të djeshëm, por përsëri refuzuan të merrnin pjesë.

Rikujtojmë se ky proces ishte nxitur nga kërkesa e vazhdueshme për zgjedhje të reja në këto komuna, duke marrë shkas mungesën e legjitimitetit të plotë të kryetarëve aktualë pas daljes së ulët të qytetarëve në zgjedhjet e 23 prillit 2023. Ai filloi me grumbullimin e nënshkrimeve të 20% të nevojshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Megjithatë, Lista Serbe që fillimisht ishte shkaktare e zgjedhjeve të 23 prillit përmes dorëheqjes së kryetarëve të saj, e pastaj inicuese e votimit të djeshëm, përsëri bojkotoi procese demokratike, përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar dhe interesit qytetar”, theksohet në reagim.

Qeveria ka thënë se janë të gatshme për të bashkëpunuar me kryetarët në Veri.

Me këtë rast, Qeveria e Republikës së Kosovës, shpreh edhe një herë mbështetjen dhe gatishmërinë e saj për të bashkëpunuar me kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në përmbushjen e përgjegjësive të tyre dhe shërbimin ndaj qytetarëve të këtyre katër komunave, pa dallim.

Në zgjedhjet e mbajtura ditën e djeshme, në 4 komunat votuan vetëm 253 qytetarë. Sipas KQZ-së, në Leposaviq votuan 124 qytetarë nga rreth 13.000 qytetarë me të drejtë vote apo 0.91 për qind, në Zubin-Potok 18 votues nga rreth 6.000 me të drejtë vote, në Zveçan nuk votoi askush e në Mitrovicë të Veriut gjithsej 111 vota.

/rtsh.al/