RTSH 24 Live

Kosova

Dështimi i bisedimeve në Bruksel/ Kurti: Borrell ndryshoi premisën e negociimit, insistoi në pezullimin e gjobave për targat serbe

23/11/2022

Dështimi i bisedimeve në Bruksel/ Kurti: Borrell ndryshoi premisën e negociimit, insistoi në pezullimin e gjobave për targat serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas heqjes së propozimit për liberalizimin e vizave për Kosovën nga axhenda e takimit të kësaj të mërkure të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE. Në nisje të mbledhjes së qeverisë, Kurti deklaroi se Përfaqësuesi i lartë i BE për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, fatkeqësisht ndryshoi premisën e negociimit të 21 nëntorit.

Kurti bëri me dije se në takimin e zhvilluar në Bruksel me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiçi me ndërmjetësimin e BE, u ra dakord për pezullimin e fazës së dytë të vendimit të Kosovës për targat, kur Serbia të ndalonte së regjistruari targat “ilegale”. Sipas Kurtit, qëllimi i madh u hoq nga axhenda, kjo pasi Borrell në kundërshtim me parimin e propozuar nga vetë ai, filloi të insistojë në marrëveshje që adreson vetëm masat e mirëbesimit, pezullimin e gjobave për targat.

“Të premten që shkoi u ftova nga përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe zv.presidenti i KE Joseph Borrell për një takim të organizuar në selinë e BE në Bruksel të nivelit të lartë me Presidentin e Serbisë. Ftesa e përfaqësuesit të lartë Borrell ishte e shoqëruar me një tekst me 4 paragrafe që mëtohej të lëshohej si një deklaratë në fund.

Në paragrafin e parë bëhej ftesë për përqendrim me urgjencë në propozimin e BE të përkrahur nga Gjermania e Franca për normalizim të marrëdhënieve. Në paragrafin e tretë, teksti bënte thirrje që të fillonin menjëherë bisedimet për propozimin e BE në nivel të lartë, për të arritur një marrëveshje para marsit të 2023. Natyrisht këtë propozim të z.Borrel unë e kam mirëpritur dhe ishim deklaruar që propozimi franko-gjerman të cilin cilin z.Borrell insistonte që ta quanim propozim të BE paraqet një bazë të mirë për diskutim.

Në paragrafin e dytë ishte çështja e targave bashkë me çështjen e garancioneve për komunitetin serb të cilët do diskutoheshin në propozimin e BE në marrëveshjen për normalizim. Gjatë 8 orëve zhvilluam 6 takime, 3 takime bilaterale dhe 3 trilaterale. Parakushti për targat kishte të bënte me pezullimin e veprimeve të qeverisë së Kosovës dhe jo me ndalimin e lëshimit të targave nga ana e Serbisë, në versionin inicial. Ne ishim të pajtimit që për ti dhënë hapësirë bisedimeve për propozimin e BE të pezullonim fazën e dytë të vendimit për targat, por kur Serbia ndalon së regjistruari targat ilegale. Ky propozim u pranua. Komuniteti serb në Kosovë është më i mbrojturi në Kushtetutë.

Pas takimit që patëm atje, i cili gjithsej në këto bisedime zgjati 8 orë, përfaqësuesi i lartë i BE për politikën e jashtme dhe sigurisë Borrelli fatkeqësisht e ndryshoi premisën e negocimit të ditës së hënë.  Në kundërshtim me parimin e propozuar nga vetë ai, filloi të insistojë në marrëveshje që adreson vetëm masat e mirëbesimit, pezullimin e gjobave për targat. Qëllimi i madh u hoq nga agjenda. Nevoja urgjente për propozimin evropian me mbështetje franko-gjermane u zhduk nga tavolina, duke iu përshtatur qëllimit të Serbisë, presidenti i së cilës kishte ardhur në Bruksel jo për propozimin e BE-së, por për targat”, tha Kurti.

Më 21 nëntor, Kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuçiç zhvilluan takime të veçanta me Borrell dhe më pas takime të përbashkëta. Por, nga takimet e zhvilluara për dialogun Kosovë-Serbi, nuk u arrit asnjë marrëveshje. “Për arsye ende të paqarta për mua, nuk u arrit absolutisht asnjë marrëveshje", deklaroi Vuçiç pas takimeve.

Por më 22 nëntor, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti pranoi propozimin e SHBA për shtyrjen me 48 orë të vendimit për vendosjen e gjobave 150 euro për targat e paligjshme serbe.

/rtsh.al/