RTSH 24 Live

Rajon

Kurti pranon propozimin e SHBA, shtyn me 48 orë vendimin për vendosjen e gjobave për targat serbe

22/11/2022

Kurti pranon propozimin e SHBA, shtyn me 48 orë vendimin për vendosjen e gjobave për targat serbe

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka pranuar propozimin e SHBA për shtyrjen me 48 orë të vendimit për vendosjen e gjobave 150 euro për targat e paligjshme serbe. Ndonëse në tryezën e bisedimeve në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE, nuk u arrit asnjë marrëveshje, Kurti duket se po bën përpjekje për të negociuar.

Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti shprehet i lumtur që do të punojë me SHBA dhe BE për gjetjen e një zgjidhje në 2 ditët e ardhshme.

“Falenderoj ambasadorin Hovenier për angazhimin e tij. E pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orësh për vendosjen e gjobave për targat e paligjshme “KM” (dhe të tjera). Jam i lumtur që do të punoj me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme”, shkruan Kurti.

Reagimi i Kurtit vjen pas thirrjes së bërë nga ambasadori i SHBA në Kosovë Jeff Hovenier. “Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk kanë arritur të arrijnë një marrëveshje sot. Ne kemi kërkuar nga qeveria e Kosovës që të shtyjë për 48 orë vendosjen e gjobave për të lejuar BE-në dhe Shtetet e Bashkuara të angazhojnë më tej palët për të gjetur një zgjidhje”, shkruante Hovenier.

Kryeministri Kurti dhe Presidenti Vuçiç u takuan në Bruksel me ndërmjetësimin e BE por nuk arritën asnjë zgjidhje për çështjen e targave. Në këtë takim kanë marrë pjesë përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, si dhe përfaqësuesi Special i BE-së, Miroslav Lajçak.

/rtsh.al/