RTSH 24 Live

Rajon

Çështja e targave/ Kurti dhe Vuçiç takohen sot në Bruksel

21/11/2022

Çështja e targave/ Kurti dhe Vuçiç takohen sot në Bruksel

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti takohen këtë të hënë (21 nëntor) në Bruksel për gjetjen e një konsensusi lidhur me çështjen e targave.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian Peter Stano teksa ftoi në Bruksel Kurtin dhe Vuçiç, deklaroi se shpresonte në një zgjidhje evropiane para datës 21 nëntor teksa e cilësoi situatën e krijuar si një nga më të rëndat të krijuar që nga 2013-ta.

"Ne i kemi ftuar në Bruksel për të diskutuar një mënyrë për të gjetur një rrugëdalje. Shpresojmë që ata të vijnë shumë shpejt, në mënyrë që ta zgjidhim çështjen, para 21 nëntorit, jo më pas, siç tha përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme Josep Borel. Shpresojmë që ata të jenë në gjendje të vijnë shumë shpejt," ka thënë Stano.

Por teksa ditën e sotme Kurti dhe Vuçiç do të zhvillojnë një takim të nivelit të lartë për të gjetur një zgjidhje për vendimin e Prishtinës për konvertimin e targave serbe në ato kosovare, presidenti serb nuk është shprehur optimist për këtë takim.

"Unë do të shkoj në Bruksel. Nuk mendoj se mund të bëjmë diçka, por po shkoj që të mos jap arsye që Serbia të akuzohet se nuk dëshiron të bëjë asgjë", ka deklaruar Vuçiç.

Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, akt i cili ka rritur tensionet midis Kosovës dhe Serbisë. BE-ja ka kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës shtyrjen e planit për riregjistrimin e makinave, me qëllim shmangien e tensioneve, ndërsa kjo e fundit ka nisur zbatimin në nëntor.

/rtsh.al/