ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka deklaruar se në lidhje me koncesion e sterilizimit ka ndjekur procedurat e diktuara nga ligji. Në një komunikim për mediat pas dëshmisë në SPAK, ku u pyet si person në dijeni, Cani tha se në momentin që atij i është dorëzuar dokumentacioni i plotë, është i detyruar të japë pëlqimin.
I pyetur nëse kishte njohje me biznesmenin Ilir Rrapaj, kompania e të cilit u shpall fituese, Cani tha se nuk kishte asnjë lidhje me të.
“Kjo është një procedurë e ndjekur në të gjitha koncesionet, s'është asgjë e re. Ministria e Financave kërkon që dokumentacioni të përputhet me legjislacionin në fuqi. Është mungesë dokumentacioni në përputhje më kërkesat e ligjit dhe VKM-së. Unë jam njeriu i cili duhet të ruajë sekretin hetimor. Nuk mund të flasë në detaje. SPAK-u duhet falënderuar bashkë me juve, se edhe ata po punojnë për zbulimin e së vërtetës. Tani meqë jemi në gusht, të themi që SPAK-u dalëngadalë ka nxjerrë gjethet, të na bëjë hije që nesër, në këto ditë të nxehta të jemi pa ndonjë siklet të madh.
Unë kam qenë i hapur për çdo çështje. Punët e mia janë të ndërtuara mbi bazën e shkresave dhe letrave jo mbi bazën e fjalëve. Unë kam dhënë përgjigje për ato që më ka kërkuar institucioni. Nga ta kem unë lidhjen me biznesmenin, pse duhet ta njoh? Kur ka filluar koncesioni unë jam larguar nga detyra. Janë plotësuar kërkesat sipas ligjit. Nëse plotësohet dokumentacioni, unë jam i detyruar me ligj të jap pëlqimin. Se çfarë ndodh më pas, kjo është histori më vete. Se çfarë ka ndodhur sot apo nesër, nuk jam më unë ministri”, tha ai.
Me urdhër të GJKKO, u arrestuan sot (17 gusht) ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj, i cili fitoi tenderin.
Ndërkohë janë lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie" Saimir Kadiu drejtor ekonomik dhe Marsela Serjanaj drejtoreshe juridike. Detyrim paraqitje është caktuar për Shefin e Kirurgjisë në QSUT, Arben Gjata, Naile Ajazi, Genc Burazeri dhe Pertef Mersini, të cilët akuzohen për "Falsifikim dhe shpërdorim detyre".
/rtsh.al/