RTSH 24 Live

Aktualitet

Koncesioni i sterilizimit, arrestohet ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj. Urdhërarreste për 8 zyrtarë

17/08/2023

Koncesioni i sterilizimit, arrestohet ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj. Urdhërarreste për 8 zyrtarë

Ish-zv.ministri i Shëndetësisë, Klodian Rjepaj, është arrestuar me urdhër të GJKKO këtë të enjte (17 gusht), pas kërkesës së SPAK, pasi dyshohet i përfshirë në hetimet për koncesionin e sterilizimit. Në pranga ka rënë edhe biznesmeni Ilir Rrapaj, i cili fitoi tenderin e Ministrisë së Shëndetësisë për sterilizimin e pajisjeve kirurgjikale dhe sallave të operacionit. Ndaj Rrapajt rëndon akuza e mashtrimit. 

RTSH24 bën me dije se janë lëshuar edhe 7 urdhërarreste për zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Shëndetësisë. Konkretisht janë lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie" Saimir Kadiu, drejtor ekonomik, dhe Marsela Serjanaj, drejtoreshë juridike.

Detyrim paraqitje është caktuar për Shefin e Kirurgjisë në QSUT, Arben Gjata, Naile Ajazi, Genc Burazeri dhe Pertef Mersini, të cilët akuzohen për "Falsifikim dhe shpërdorim detyre".

Ish-zv.ministri Rjepaj është zyrtari i parë i dikasterit të Shëndetësisë që është marrë në pyetje nga Prokuroria e Tiranës për koncesionet e ministrisë. Në vitin 2016 ai u pyet në lidhje me akuzat në cilësinë e personit në dijeni, pasi ka qenë kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave. 

Më 4 gusht u pyet në SPAK në lidhje me këtë koncesion edhe ish-ministrja e Financave, Anila Denaj, ndërsa më parë ka dëshmuar edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

Koncesioni i sterilizimit është denoncimi i parë i bërë në SPAK i depozituar nga Nisma Thurje më 23 dhjetor të 2019, tre ditë pas themelimit të Prokurorisë së Posaçme.

/rtsh.al/