RTSH 24 Live

Aktualitet

Denoncimi për mocarelë të skaduar dhe vezë me salmonelë, reagon AKU

01/08/2024

Denoncimi për mocarelë të skaduar dhe vezë me salmonelë, reagon AKU

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka reaguar mbi përhapjen e disa informacioneve të rreme mbi njoftimet e ardhura nga sistemi RASFF, informacione këto të cilat kanë shkaktuar panik tek konsumatorët.

Më 31 maj, AKU është informuar nga sistemi RASFF për produktin Mozzarella (Treccia di mozzarella pugliese (mozzarella) 200 g) me datë skadence të deklaruar gabim, në të cilin Shqipëria është etiketuar për ndjekje, dhe nga kontrolli zyrtar ka rezultuar se nga 7,2 kg produkt te importuar më datë 15.5.2024, është tërhequr nga tregu dhe bllokuar me destinacion asgjësimin e tij sasia prej 6.2 kg.

Po ashtu, mbi njoftimin e sistemit RASFF më 3 qershor për produktin në vezë të lëngshme të pasterizuar e cila ka rezultuar me prani të Salmonella spp, në të cilin Shqipëria është etiketuar për ndjekje, AKU kryer kontrolle nga të cilat janë konstatuar se nga 12 kg produkt i importuar me datë 10.5.2024 dhe 14.5.2024, është tërhequr nga tregu dhe bllokuar me destinacion asgjësimin e tij sasia prej 8 kg.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit është në gatishmëri për garantimin e sigurisë ushqimore në mbrojtjen e shëndetit të konsumatorit.

Inkurajojmë të gjithë qytetarët të denoncojnë çdo rast, çdo tentativë abuzimi, pranë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në info@aku.gov.al si dhe pranë portalit të bashkëqeverisjes “Shqipëria që duam”. Siguria Ushqimore është një sfidë e përbashkët”, thuhet në njoftim.

Reagimi i AKU erdhi fill pas akuzave të bëra nga anëtari i kryesisë së PD, Grigels Muçollari sipas së cilit AKU ka fshehur njoftimet nga Italia për mocarelën e skaduar dhe të bardhën e vezës me përmbajtje salmonele.

“Kjo agjencia qeveritare këtu, AKU, ka detyrimin ligjor, ka fondet dhe stafin për të mbrojtur qytetarët, për të ofruar sigurinë ushqimore. Në vijimësi kemi treguar se kjo agjenci nuk e bën detyrën, nuk ofron siguri ushqimore, nuk i mbron qytetarët.

Ky dështim është me pasoja mjaft të rënda, dramatike në shëndetin dhe jetën e njerëzve. Do ju paraqesim sot dy dokumente te tjera, dy raste të tjera, kur Italia ka lajmëruar për rrezikun e këtyre produkteve të cilët kanë hyrë në tregjet tona.

Rasti i parë, ka të bëjë me një produkt me të bardhën e vezës. Alerti vjen nga shteti fqinj për përmbajtje salmonele. Ka ardhur njoftimi me 29 maj.

AKU do të duhej të kishte reaguar menjëherë, të bënte komunikim efikas me publikun, qytetarët të ndërgjegjësoheshin e të mos blinin. AKU nuk e ka kryer detyrën. Ka një njoftim gjysmak në faqen e saj, në muajin qershor. Pse AKU nuk e ka kryer lajmërimin menjëherë pasi autoritetet italiane kanë lajmëruar?

Kemi këtë rastin tjetër, që lidhet me një sasi mocarele që ka hyrë nga Italia. Po Italia, njofton për rrezikun e skadencës, pasi mund të kishte një gabim me datat. Alerti ka ardhur me datën 21 maj”, deklaroi ai.

/rtsh.al/