RTSH 24 Live

Aktualitet

Apeli i GJKKO-së e la në ‘arrest me burg’, Veliaj: Më ngritën kurth duke më vënë në përgjim bisedat me gruan dhe vëllain

6 orë para

Apeli i GJKKO-së e la në ‘arrest me burg’, Veliaj: Më ngritën kurth duke më vënë në përgjim bisedat me gruan dhe vëllain

Apeli i GJKKO-së mori vendim të enjten në lidhje me ankimimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest me burg”. Lidhur me këtë vendim ka reaguar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Sipas tij, vendimi i sotëm nuk ishte ai që priste, por ishte ai “që deshën ata që më janë qepur si të isha armiku më i betuar i këtij vendi”.

Kryetari Bashkisë së Tiranës, Veliaj pretendon në reagimin e tij se i është ngritur kurth, duke i përgjuar bisedat me bashkëshorten dhe vëllain, të cilat, siç ai bën të ditur, janë kthyer në një dosje të re kundër tij.

“Do të kisha dashur shumë që ta kisha fituar këtë betejë dhe tani të isha duke përqafuar djalin tim, për të cilin më ka marrë shumë malli! Por, këta më ngritën edhe një kurth, duke më vënë në përgjim bisedat me gruan e me vëllain nga burgu, dhe shfrimet e mia i kthyen në një dosje të re! E gjitha është si një ëndërr e keqe, si një film sovjetik, me sigurimsa që i qepen robit deri në poshtërim. Po ja që s’është as ëndërr, as film, po është një ngjarje e jetuar në lëkurën e një familjeje për fustanet imagjinare të gruas dhe dosje të stisura qëllimisht për Kryetarin e Bashkisë së Kryeqytetit”, shkruan Veliaj.

 Sipas tij, as avokati amerikan, që i ka siguruar vëllai, nuk arrin të kuptojë më asgjë.

“I kam shkruar Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, por po më duket sikur kam hedhur në det një letër në shishe, që kushedi se në ç’breg të shkretë ka dalë. Sidoqoftë, ky nuk është fundi dhe s’ka se si të jetë! Luftën për drejtësi do ta vazhdoj e do ta bëj deri në fund, siç jua kam premtuar. Sepse gjatë gjithë jetës sime kam treguar se di të ringrihem. Humbjet na bëjnë më të fortë dhe janë preludi i fitoreve. Uroj të mos bezdis asnjeri nga ju, sidoqoftë me këtë absurdin që po jetoj unë dhe familja ime. Por, kjo është realisht çnjerëzore.”, shkruan Veliaj.

/rtsh.al/