RTSH 24 Live

Aktualitet

Dëmtuan 15 efektivë dhe automjete, Policia: Procedohen penalisht 6 shtetas iranianë

21/06/2023

Dëmtuan 15 efektivë dhe automjete, Policia: Procedohen penalisht 6 shtetas iranianë

Gjashtë persona janë proceduar penalisht pasi kundërshtuan me dhunë punonjësit e Policisë së Shtetit dhe dëmtuan automjetet e policisë gjatë kontrolleve të ushtruar një ditë më parë (20 qershor) në kampin e MEK në Manzë të Durrësit.

Gjatë kryerjes së kontrolleve në ambientet e vendqëndrimit të organizatës MEK, shërbimet e Policisë janë ndeshur me kundërshtimin e dhunshëm dhe të vazhdueshëm të personave që strehoheshin në rezidencë, të cilët tentuan të pengonin shërbimet e Policisë për të vijuar kontrollet dhe për të sekuestruar provat materiale, objekt i vendimit të GJKKO-së.

Policia bën me dije se si pasojë e kundërshtimeve të dhunshme dhe të vazhdueshme, janë dëmtuar 15 punonjës policie dhe automjete të Policisë së Shtetit. “Pavarësisht dhunës së ushtruar ndaj tyre, punonjësit e Policisë janë vetëpërmbajtur deri në ekstrem, duke mos iu përgjigjur proporcionalisht dhunës që po ushtrohej ndaj tyre”, thuhet në njoftim.

Gjashtë personat e proceduar penalisht për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” , “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës” janë: H.N., 73 vjeç; M.B., 72 vjeç; A.A., 72 vjeç; B.S., 63 vjeç; A.A., 61 vjeç dhe D.F., 70 vjeç.

/rtsh.al/