Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bëri të ditur të premten se ka përcjellë vërtetimin e gjendjes gjyqësore për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, në përgjigje të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Drejtoria e Burgjeve sqaron se pas verifikimeve në Regjistrin e Gjendjes Gjyqësore, “ai rezulton i padënuar dhe ndaj tij janë dhënë tre vendime pafajësie”.
“Sqarojmë se, në rastet kur kërkohet vërtetimi me historik, përfshihen edhe të dhënat mbi vendimet e mëparshme, përfshirë pafajësitë apo vendimet e rehabilitimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi”, deklaron Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
SPAK: Certifikatën e morëm nga Drejtoria e Burgjeve
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka reaguar në lidhje me pretendimet e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, lidhur me gjendjen e tij gjyqësore, ku në faqen e parë të dosjes së dorëzuar në GJKKO, thuhej se kryebashkiaku është “i dënuar”.
Paralelisht Veliaj ka paraqitur vërtetimin gjyqësor ku thuhet se ai nuk është “i dënuar”.
Nga ana e saj, Prokuroria e Posaçme sqaron se në kërkesën për “Caktimin e masës shtrënguese të sigurimit personal”, drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për shtetasin nën hetim Erion Veliaj, Prokuroria e Posaçme nuk i është referuar për asnjë moment gjendjes së tij gjyqësore.
“Si pjesë e akteve të depozituara pranë Gjykatës së Posaçme është edhe një certifikatë elektronike e gjendjes gjyqësore e gjeneruar nga sistemi i Drejtorisë së Përgjithshëm të Burgjeve, ku organi procedues ka akses. Kjo certifikatë, në brendësi të saj përmban informacionin se shtetasi E.V, i biri i L. dhe Sh. lindur më 17.12.1979 në Tiranë, rezulton “I dënuar”. Në lidhje me këtë certifikatë, Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar informacion Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve në lidhje me veprat penale, si edhe vendimet gjyqësore, të cilat lidhen me certifikatën elektronike që është gjeneruar. Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Gjyqësore ka sqaruar mes të tjerave se:
…çdo herë kur printohet Vërtetimi i Gjendjes Gjyqësore me shënime, del dhe statusi i dënuar si në këtë rast. Shtetasi E. L. V. ka 3 vendime pafajësie”, thuhet në deklaratën e SPAK-ut.
Sipas këtij njoftimi, në çdo rast, as në kërkesën e Prokurorisë së Posaçme drejtuar Gjykatës se Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, por as nga kjo e fundit, nuk është përdorur si rrethanë gjendja gjyqësore e shtetasit nën hetim Erion Veliaj, për të caktuar ndaj këtij të fundit, masën shtrënguese të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
Veliaj: Hetimet ndaj meje të paragjykuara, joserioze, për të më shpallur fajtor
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, ka deklaruar një ditë më parë se ndaj tij janë zhvilluar jo vetëm hetime joserioze, por edhe të paragjykuara.
Si shembull për këtë ai solli faktin se në faqen e parë të dosjes së prokurorisë së SPAK-ut është shkruar se është "I dënuar", ndërkohë që ai tha se nuk rezulton i tillë në bazë të ndonjë vërtetimi gjyqësor.
“Nuk mund të rri pa folur edhe për një skandal të rëndë që zbulova në sallën e gjyqit, e shkruar e zezë mbi të bardhë, që në faqen e parë të paçavures së hartuar me zell të madh nga prokurori Ols Dado. U informova se në të gjitha gjirizet mediatike të PD-së na ishte publikuar se në dosjen time prokurori kishte shkruar: “Erion Veliaj është “i dënuar”, me shënimin “sipas Certifikatës Elektronike të gjendjes gjyqësore Nr. 5488 Prot., datë 23.01.2025 të gjeneruar nga hetuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimeve, e cila gjendet në fashikullin 63”.” Kur e mësova, ky detaj më tronditi edhe mua personalisht, ashtu siç mund të ketë tronditur jo pak njerëz të tjerë sepse dëshmia ime e penalitetit është e pastër. Dje në sallën e gjyqit, vetëm pasi unë deklarova që jam i padënuar dhe, si kryetar i Bashkisë së Tiranës, i zgjedhur me votë 3 herë radhazi nga qytetarët e mi, kam plotësuar formularin e dekriminalizimit, prokurori Ols Dado u detyrua ta verifikonte këtë me një telefonatë, (pasi siç duket, në mendjen e tij tashmë rezultoj një person i dënuar), dhe u përpoq ta kalonte këtë skandal, duke thënë se është thjesht një ‘lapsus’, që e paskan bërë shkruesit e dosjes time.”, shkruan Veliaj.
Sipas kryebashkiakut, që në faqen e parë të akuzës ndaj tij është bërë gabimisht “një lapsus frojdian kaq i rëndë nga prokurori hartues i dosjes”.
“Po si mundet të bëhet një lapsus në një dosje hetimore? Si mund të luhet me jetë njerëzish duke e kaluar me fjalët “ishte lapsus”? Ky ‘lapsus’, vetëm lapsus nuk është! Është një hije e madhe dyshimi mbi të gjithë atë që është gatuar kundër meje dhe bashkëshortes sime. Tani është i qartë serioziteti me të cilin janë zhvilluar hetimet kundër familjes dhe personit tim: më e pakta, në dosjen time ka gabime trashanike, si kjo e faqes së parë, e të cilat do t’i publikoj një e nga një për publikun dhe qytetarët e Tiranës; por, rezervoj edhe dyshimet e mia mbi dëshirën e nxituar të prokurorit Ols Dado për të më shpallur fajtor ende pa nisur procesi i gjykimit.”, mbyll postimin Veliaj, duke e shoqëruar edhe me një faksimile nga faqja e parë e dosjes.
/rtsh.al/