RTSH 24 Live

Politikë

Debate në Komisionin për "TIMS", Salianji s’pranon kërkesën e Ballës për seancë me dyer të mbyllura. Gogu: Hidhe në votim

15/05/2024

Debate në Komisionin për "TIMS", Salianji s’pranon kërkesën e Ballës për seancë me dyer të mbyllura. Gogu: Hidhe në votim

Me debate është shoqëruar mbledhja e Komisionit Hetimor për të dhënat e sistemit "TIMS", ku shkak u bë kërkesa e Ministrit të Brendshëm, Taulant Balla, që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura për shkak të informacionit të klasifikuar.

Kreu i Komisionit, Ervin Salianji hodhi poshtë kërkesën e Ballës, teksa tha se komisioni nuk do të shqyrtojë ndonjë dokument shtetëror dhe se ministri është thirrur për të dëshmuar për pyetje apo të dhëna që kanë dalë gjatë hetimit parlamentar dhe që tashmë janë publike.

Ne e kemi marrë paraprakisht kërkesën që mund të kishte çdo institucion për çdo dokument apo akte që klasifikohen sekret shtetëror. Ne nuk do t’i referohemi as aktit dhe shkresës që ka ardhur nga SHISH dhe asnjë akti tjetër. Ministri e di paraprakisht se ne e kemi thirrur për të dëshmuar për pyetje apo të dhëna që kanë dalë gjatë hetimit parlamentar që janë publike dhe janë depozituar, i ka çdo anëtar i komisionit dhe ekspertët dhe një pjesë e tyre janë publikuar në media. Nuk jemi në kushtet kur komisioni do shqyrtojë ndonjë dokument shtetëror. Dokumentet janë administruar dhe nuk ka sekret”, tha Salianj.

Nënkryetari i komisionit, Toni Gogu kundërshtoi qëndrimin e Salianjit, duke i kërkuar që hedhë në votim kërkesën e ministrit Balla për zhvillimin e mbledhjes me dyer të mbyllura.

Nuk e mbart ti pushtetin e këtij komisioni. Tani është momenti që komisionit i ka ardhur një kërkesë, je i detyruar që çdo anëtar ta informosh dhe dezinformosh. Nuk ka bërë gjë PS. PS fiton zgjedhjet, rienergjizohet, këtë bën PS. Ministri i Brendshëm ka sjellë një kërkesë zyrtare dhe të thotë në zbatim të ligjit kam informacion të klasifikuar dhe për këtë arsye kërkoj. Urgjentisht hidh në votim kërkesën e institucioneve shtetërore. Jam dakord që të japësh mendim, por thërriti ministrin sepse e kujton këtë komision që është ky”, tha Gogu.

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Hetimor ishte dakordësuar më herët të dëshmojnë ministri i Brendshëm, Taulant Balla, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe ish-drejtori i Departamentit të IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça. Por Balla i është drejtuar me një shkresë këtij komisioni, ku argumenton se informacionet që ai disponon për këtë çështje bazohen në dokumentacion dhe të dhëna të klasifikuara si “sekret shtetëror” dhe se anëtarët e komisionit duhet të jenë të pajisur me Certifikatë Sigurie Personeli (CSP).

/rtsh.al/