Deputeti Dashamir Shehi, kryetari i LZHK-së është për rritjen e pagave, madje beson është e vonuar dhe duhej të ishte bërë 5 – 6 vite më parë për të parandaluar largimin nga Shqipëria. Por, në fjalën e tij në Kuvend në seancën parlamentare ku po diskutohet pr/ligji për rritjen e pagave, Shehi vë theksin tek transparenca në piramidën e administratës që përfiton nga kjo rritje por dhe fatura e kostos së kësaj reforme.
“Paratë kanë qenë aty me kohë por nejse. Por në fillim duhet të jetë transparente hierarkinë e piramidës së profesioneve dhe shtetit shqiptar. Ku rriten më shumë. Ku rriten më pak. A prekim ato sektorë që afektohen më shumë nga rritja e pagave. Të rrisnim më shumë pagat tek arsmimi, shëndetësia, ushtarakët. Nëse do të përqëndrojmë vertikalizimin tek administrata do të krijojmë një piramidë që nuk ështe e vlefshme. Duam një piramidë të qartë, transparente dhe me faturën anash. Nga do të merren këto para e si do të shpërndahen,” – thotë Shehi.
Këmbëngul dhe tek reforma e administratës dhe rindërtimi i piramidës së administratës sipas nevojës që ka shteti.
Shehi do të kishte preferuar formulë tjetër edhe për rritjen e pagave të deputetëve
“Sigurisht unë e di shumë mirë dhe shumë prej jush që ne jemi shumë këtu. Një vend 2.5 milionë nuk mund të ketë 140 deputetë. Ka ardhur dita të bëhemi më pak, të bëhemi 100, 90. Mbaruan zgjedhjet në Greqi. Katër herë Shqipëria dhe ka 300 deputetë ka. Vendet fqinje ka më pak deputetë. Ka ardhur dita që deputetët të paguhen mirë por të jenë më pak. Administrata e kuvendit është dyfishi," - argumenton Shehi.
Kreu i LZHK-së kërkon që qeveria të rrisë edhe pensionet, sidomos ato të voglat.
“Të rrisim ato të voglat më shumë me 25 % dhe ato të lartat në një përmasë më të vogël. Në këtë mënyrë ti jepnim shpresë me mijëra njerëve që në fund të fundit me një politikë serioze mund të mbërrijmë tek niveli i mbijetesës”
Kuvendi po shqyrton sot projektligjin për “Për disa ndryshime në ligjin nr. 9584, datë 17.07.2006, “Për pagat,shpërblimet dhe strukturat e institucioneve të pavarura kushtetuese dhe të institucioneve të tjera të pavarura, të krijuara me ligj”, të ndryshuar”.