RTSH 24 Live

Rajon

Çmontohet në Greqi organizata kriminale e trafikut të emigrantëve, arrestohen 41 persona

01/04/2023

Çmontohet në Greqi organizata kriminale e trafikut të emigrantëve, arrestohen 41 persona

Një organizatë kriminale e trafikimit të emigrantëve nga vendet e botës së tretë për në Greqi, është çmontuar pas një operacioni të gjerë të zhvilluar në Atikë, Selanik dhe Ili.

Policia greke ka arrestuar gjithsej 41 persona që ishin përfshirë në trafikun e emigrantëve, armëve dhe trafikut të drogës.

Në dosjen hetimore janë përfshirë edhe 55 persona të tjerë.  Nga hetimi u konstatua se organizata kishte një strukturë të mirëorganizuar hierarkike dhe me role të përcaktuara ku merrnin nga 600 deri në 10 mijë euro për person për trafikimin e emigrantëve.

Pasi gjenin klinetët e tyre, trafikantët përdornin mënyra të ndryshme për t’i dërguar drejt Greqisë apo në vende të tjera të Evropës. Një nga metodat ishin me avion. Në të njëjtën kohë, ata pajiseshin me pasaporta.

Tarifa ishte nga 4,000 deri në 10 mijë euro, ndërsa destinacionet e zakonshme ishin Serbia, Mali i Zi, Suedia, Hungaria dhe Bullgaria.

Mënyra e dytë që trafikantët përdornin ishte përmes kalimit me automjete nga Turqia në Greqi.

Pasi i organizuan në grupe, ata i kalonin nga Turqia në zonën greke. Më pas ata hipnin në kamionë ose autobusë dhe i transportonin në Selanik ose Athinë, ku qëndronin për një kohë të shkurtër.

Fillimisht ato grumbulloheshin ose në Athinë ose në një zonë të prefekturës së Ilisë dhe më pas hipnin në mjete për t’i dërguar në Shqipëri dhe më pas në Bosnje ose Serbi, transmeton EuroNews.

Shuma e parave për të përfunduar transfertën shkonte nga 1250 deri në 4 mijë euro. Ndërsa u zbuluan 12 apartamente që funksiononin si vende për pritjen dhe shpërndarjen e emigrantëve.

Nga hetimet rezulton se anëtarët e organizatës kriminale kishin trafikuar të paktën 2322 të huajve. Ndërsa në total kishin përfituar një shumë prej 9 milionë euro.

/rtsh.al/