RTSH 24 Live

Aktualitet

Censusi 2023, Kisha Katolike: Tkurrja e popullsisë, më e lartë. Do kryejmë Census për numrin e katolikëve në territor

08/07/2024

Censusi 2023, Kisha Katolike: Tkurrja e popullsisë, më e lartë. Do kryejmë Census për numrin e katolikëve në territor

 

 

Tkurrja e popullsisë dhe largimi i të rinjve janë dy shqetësimet e ngritura nga Kisha Katolike pas publikimit të të dhënave të Censusit të vitit 2023.

Me anë të një reagimi publik, Kisha Katolike shpreh bindjen se tkurrja e popullsisë është më e lartë se ajo e paraqitur nga Censusi. Po ashtu, sipas Kishës Katolike , largimi i të rinjve nga Shqipëria, tkurrja e moshës së punës, sjell pasoja në zhvillimin e shoqërisë, mirëqenies shpirtërore e ekonomike të familjeve shqiptare.

Dy fakte na shqetësojnë si Kishë katolike. Së pari tkurrja e popullsisë me rreth 410000 njësi ne krahasim me Censusin e vitit 2011. Ne mendojmë se numri është më i lartë se kaq. Është një fenomen që ne si Kishë katolike e kemi ndier dhe e kemi shprehur herë pas here, për shkak edhe të pranisë sonë kapilare në territorin e Shqipërisë. Ne kemi qenë dëshmitarë të largimit masiv të familjeve shqiptare jashtë Shqipërisë dhe e përjetojmë përditë këtë plagë. Kjo është e lidhur me një shqetësim të dytë që statistikat e tregojnë: tkurrja e moshës së re dhe e moshës së punës. Kjo sjell pasoja në zhvillimin e shoqërisë e sidomos në mirëqenien shpirtërore dhe ekonomike të familjeve shqiptare”, thuhet në reagim.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Kisha Katolike, lidhet me numrin e katolikëve të raportuar në të dhënat e Censusit. Kisha Katolike shprehet se do angazhohet për ta kryer vetë Censusin në lidhje me numrin e katolikëve në Shqipëri.

“Së fundi, për sa i përket numrit të katolikëve, mund të themi se ne nuk kemi elemente në dorë për të gjykuar nëse realisht është ky numri i katolikëve në Shqipëri. Tkurrja e përgjithshme e popullsisë ka sjellë edhe tkurrjen e katolikëve dhe ikjen e tyre në vendet perëndimore, kryesisht në Evropë dhe në Amerikën veriore. Në këto vite, ne si komunitet katolik, nuk kemi kryer regjistrime për popullsinë. Prandaj, edhe neve na lind një angazhim për ta kryer këtë Census nëpër Dioqezat dhe famullitë tona për ta njohur, edhe pse përafërsisht, por me realizëm, numrin e katolikëve në territor”, thuhet më tej në reagim.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Censusi më 28 qershor, numri i katolikëve në territorin shqiptar është 201 530.

Po ashtu, sipas Censusit, në Shqipëri jetojnë 2.412.113 banorë, ku krahasuar me vitin 2011, numri i popullsisë rezulton me një rënie prej 14.5%. 

Më 1 tetor 2011, popullsia banuese e Shqipërisë ishte 2 821 977 banorë. Edhe Censi i vitit 2011, krahasuar me atë të vitit 2001, reflektoi një rënie të popullsisë afërsisht prej 8,0%, ku popullsia e numëruar ishte 3.069.275 banorë.

Censi i Popullsisë dhe Banesave nisi në tetor të vitit 2023 dhe është i 12 i realizuar në Shqipëri. Censi i Popullsisë dhe Banesave ofron të dhëna mbi numrin zyrtar të popullsisë, në njësinë më të vogël gjeografike, së bashku me informacionin mbi një numër të zgjedhur të karakteristikave demografike, sociale dhe ekonomike të popullsisë.

/rtsh.al/