Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural njoftoi të shtunën, se Shqipëria nuk importon mish derri me Ractpaminë nga Brazili dhe nga asnjë vend tjetër.
Ministria bëri të ditur, se kjo substancë nuk është regjistruar asnjëherë në Shqipëri për përdorim në kafshët që prodhojnë ushqim dhe kafshët e shoqërimit dhe nuk është në Regjistrin Kombëtar të Produkteve Mjekësore Veterinare.
MBZHR bën të ditur se, “nga monitorimi 3-vjeçar (2022-2023-2024) nga strukturat e MBZHR, në kuadër të Planit Kombëtar të Monitorimit të Mbetjeve nuk ka rezultuar mbetje të Ractopaminës në kafshët që prodhojnë ushqim si edhe në produktet me origjinë shtazore që rrjedhin prej tyre, kjo edhe për produktet e importit pasi Shqipëria prej 2 vitesh zbaton Planin e Monitorimit të Mbetjeve edhe për produktet e importit nga vendet e treta”.
Ministria thekson se, Plani Kombëtar i Monitorimit të Mbetjeve përgatitet bazuar në rregulloret evropiane dhe miratohet nga shërbimet e Komisionit Evropian.
Përveç sa më lart, ministria informon se, çdo ngarkesë me mish e importuar në Republikën e Shqipërisë i nënshtrohet kontrollit të dokumentacionit, identitetit dhe fizik nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit.
“Qeveria Shqiptare ka në fokusin kryesor të saj mbrojtjen e shëndetit dhe interesave të konsumatorit dhe forcimin e standardeve të sigurisë ushqimore për të garantuar një mbrojtje më të lartë të konsumatorit si dhe hapjen e eksporteve të produkteve me origjinë shtazore në tregjet evropiane dhe më gjerë”, thekson MBZHR.
/ rtsh.al /