Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, deklaroi se institucioni që ai drejton nuk do të ndajë asnjë të dhënë të votuesve me persona të tretë.
Celibashi siguroi në një konferencë për shtyp se “nuk ka asnjë komunikim, asnjë lloj ndërveprimi, në çdolloj mënyre, në platformë PER me të tretë jashtë KQZ-së, në mënyrë kategorike”.
“Deri më tani nuk kemi parë ndonjë pretendim zyrtar. Ajo që ka rëndësi të thuhet dhe shpresoj që të marrë të gjithë vëmendjen që duhet. Nuk ka asnjë komunikim, asnjë lloj ndërveprimi, në çdo lloj mënyre, teknike të platformës Par me të tretë jashtë KQZ-së, në mënyrë kategorike. Dëgjova dikë para disa ditësh që në injorancë të plotë mbi teknologjinë e Informacionit e merrte për të sigurt që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve këto numrat e telefonit ia jep filanit apo ia jep fistekut. Zero!” u shpreh Celibashi.
Ai ftoi çdo qytetar apo subjekt politik që pretendimet i tyre t’i paraqesin pranë KQZ-së, ndërsa theksoi se institucioni nuk ka interes për t'i ndarë të dhënat e votuesve me të tjerët.
“Kushdo që ngre një pretendim të tillë, çdo individ qoftë pa status fare, është i mirëpritur dhe të bëjë të gjitha verifikimet që të bëjë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Për çfarë do ta bëjmë këtë, çfarë interesi kemi, në shërbim të kujt? Përse duhet të bëhemi vasalë të dikujt, për çfarë interesi madhor, apo edhe tjetrën më të vogël. Ndaj këta me këto deklarime dëmtojnë procesin për të mos thënë që ata të cilët kanë edhe kostum politik me deklarime të tilla janë duke i bërë dëm interesit të tyre. Ose do t’i inkurajosh votuesit të marrin pjesë në proces ose do t’u thuash që të mos merrni pjesë se ky sistemi nuk bën. Nuk ka një gjë të mesme në këtë mes”, tha Celibashi.
/rtsh.al/