RTSH 24 Live

Sociale

Çelet sezoni turistik në Librazhd, aktivitete të shumta në Parkun e Shebenikut

16/04/2024

Çelet sezoni turistik në Librazhd, aktivitete të shumta në Parkun e Shebenikut

Bashkia e Librazhdit për herë të parë ka organizuar hapjen  zyrtarisht të sezonit turistik . Përmes aktiviteteve të shumta në qendër të qytetit dhe në Parkun Kombëtar të Shebenikut, u prezantuan destinacionet turistike, kulturore, historike dhe kulinaria e kësaj zone.

Në fjalën e hapjes kryebashkiaku, Mariglen Disha tha se synohet shndërrimi i kësaj zone në një prej destinacioneve më të rëndësishme të Turizmit Malor në Shqipëri dhe aktualisht po punohet me një strategji mjaft të qartë në këtë drejtim se bashkia e Librazhdit ka potenciale dhe resurse natyrore mjaft të mëdha mes të cilave turistët mund të zgjedhin për të vizituar.

Të shumtë ishin banorët e zonës dhe turistët që morën pjesë në hapjen e siparit turistik. 

Në territorin e bashkisë së Librazhdit, turistët më të shpeshtë që takon janë nga Europa Perëndimore. Fluksi i lartë i vizitorëve është shoqëruar me zënien e pothuaj gjithë kapacitetit të strukturave akomoduese.

Me një riliev kodrinoro malor, Librazhdi është ndër rrethet më të pasura të vendit për llojshmërinë e bimëve she sipërfaqeve me pyje, ndërsa ujërat e lumit Shkumbin shfrytëzohen për rafting.

Gazetar: A. Boriçi    

/rtsh.al/