RTSH 24 Live

Sociale

Tomografia e syrit tani në spitalin publik: "Diagnostikohen anomalitë më të imëta të retinës"

29/04/2024

Tomografia e syrit tani në spitalin publik: "Diagnostikohen anomalitë më të imëta të retinës"

Me mijëra pacientë që vuajnë probleme të shikimit për shkak të sëmundjeve të ndryshme që po kalojnë apo edhe për shkak të moshimit, do të kenë mundësi t‘i kapin në kohë ato falë shërbimit më të ri në QSUT që është tomografia e syrit. Kjo aparaturë që deri më tani ishte vetëm në tregun privat, analizon edhe anomalitë më të imta të retinës dhe sipas mjekëve çon nivelin e diagnostikës në stade të avancuara.

Një paciente diabetike prej 20 vitesh kishte mbi tre muaj që kishte humbje të shikimit në njërin sy për shkak të sëmundjes. Ajo kishte radhën e diagnostikimit të retinës në klinikën e QSUT-së . Prof.Vila Mema, shefe e klinikës së okulistikës tregon se pavarësisht se problemi ka vetëm tre muaj që është shfaqur te pacientja, ai daton më herët por nuk është diagnostikuar në kohë. Për herë tarë në sistemin publik është futur ekzaminimi i pritur prej kohësh, tomografia e kompjuterizuar e syrit e cila analizon edhe anomalitë më të imta në trashësinë e retinës duke i kapur ato në kohë. Sipas shefes së klinikës okulistike ne QSUT, Prof. Vilma Mema aparatura diagnostikon disa patologji dhe do të ndihmojë shumë pacientët me diabet

Me mijëra pacientë që vuajnë nga diabeti do të mund të diagnostikojnë në kohë edhe retinopatinë diabetike , një sëmundje kjo që po njeh rritje për shkak edhe të shtimit të kësaj sëmundje. Kjo aparaturë është shumë e nevojshme dhe e mezi pritur nga mjekët. Do  jetë një guidë e mirë edhe për mjekët specializantë. Me ardhjen e këtij investimi ku përfshihet edhe lazeri, është kompletuar niveli I diagnostikës në klinikë dhe është në përputhje me standartet e klinikave evropiane. Diagnostikon problamtikat e retinës, glaukomën ose moshimin e syrit si dhe patologji të tjera“, tha Prof. Vilma Mema, shefe e klinikës okulistike në QSUT.

Aktualisht janë rreth 100 pacientë në javë që kalojnë përmes kësaj aparature por tani kërkesat do të shtohen pasi në privat kushton

Është i kushtueshëm në privat, por këtu shteti e ofron falas sipas një planifikimi me rekomandim. Është procedurë që zgjat vetëm disa minuta dhe është pa efekte anësore”, tha Mema.

Terreni që krijon një sëmundje e caktuar është tregues për t’u diagnostikuar përmes tomografisë ose siç e njeh populli skaneri i syrit.

Gazetare: Sonila Mlloja

/RTSH/