RTSH 24 Live

Kosovë

Borrell: Dialogu ka nevojë për guxim, vizion dhe vullnet politik

30/06/2024

Borrell: Dialogu ka nevojë për guxim, vizion dhe vullnet politik

Shefi i Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, Josep Borrell ka deklaruar se normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës e Serbisë është thelbi i angazhimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Sipas tij, për të arritur deri këtu duhet guxim, vizion dhe vullnet politik dhe se BE-ja do të vazhdojë të ndihmojë në këtë proces.

Përmes një shkrimi në EEAS, Borrell thekson se BE mbetet e përkushtuar për të ndihmuar, por në fund, ajo ka nevojë për guximin, vizionin dhe vullnetin politik të liderëve të të dyja palëve.

Është e domosdoshme të zhbllokohet një e ardhme evropiane për të dy, dhe të forcohet siguria dhe stabiliteti në rajon. Fillimisht kemi avancuar në kapituj të ndryshëm të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse gjatë verës së vitit 2020. Megjithatë, dinamika të ndryshme politike në rajon dhe një kontekst gjeopolitik gjithnjë e më kompleks përkon me kriza, tensione dhe përshkallëzime të shumta”, shkruan Borrell.

Ai foli edhe sfidat përgjatë vitit 2023 të drejtimit të dialogut.

Momentet më të rrezikshme ndodhën në maj të vitit 2023, kur protestat në veri të Kosovës u shndërruan në të dhunshme duke lënë të plagosur më shumë se 90 paqeruajtës të KFOR-it”, tha Borrell, teksa vuri në pah edhe sulmin terrorist në Banjskë, më 24 shtator 2023, me çrast u vra një oficer i Policisë së Kosovës, ku u zbulua një arsenal tronditës i armatimit të shkallës ushtarake.

 “Megjithatë, përkundër këtyre sfidave dhe vështirësive, takimet, vizitat dhe thirrjet tona të shumta kanë kontribuar edhe në hapa të rëndësishëm përpara, të cilët nuk duhen harruar. Dialogu ka sjellë përmirësime të prekshme në jetën e qytetarëve në Kosovë dhe Serbi”, tha Borrell.

Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së foli edhe për të arriturat e procesit të dialogut Kosaovë-Serbi.

“Por më e rëndësishmja, ne arritëm të arrijmë të ashtuquajturën Marrëveshje të Ohrit për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksin e Zbatimit të saj në shkurt dhe mars 2023. Arritja e një marrëveshjeje të tillë në kohën e një lufte të paprecedentë në shkallë të gjerë në kontinentin tonë, ishte një arritje e rëndësishme”, tha ai.

Si pjesë e kësaj Marrëveshjeje, theksoi Borrell, ishte edhe çështja e themelimit të Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë, një nga çështjet më të ndjeshme në Dialog.

/rtsh.al/