Ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhja ka bërë me dije se shpërndarja e bonusit të fundvitit për pensionistët do të nisë nga java e dytë e dhjetorit, pas procedurave zyrtare.
Ndërsa e konsideroi si bonusin më të madh në historinë e vendit, Gonxhja sqaroi se tërheqja e këtij bonusi do të bëhet në sportele.
“Ky është bonusi më i madh ndonjëherë në historinë e vendit sa i takon bonusit të fundvitit. Janë mbi 724 mijë pensionistë që do marrin bonusin e fundvitit.
Pagesat do nisin nga java e dytë e dhjetorit me zbardhjen e aktit dhe me përgatitjen e procedurave nga ana e institutit të sigurimeve shoqërore nisin pagesat në të njëjtën mënyrë sikurse ka ndodhur gjithmonë pranë sporteleve të ISSH-së”, u shpreh ministri.
Bonusi do të ndahet në dy shkallë, konkretisht: pensionistët që kanë një pension deri në 20 mijë lekë, do marrin 3-fishin e bonusit të deridjeshëm përmes një bonusi të ri prej 150 eurosh; dhe pensionistët që kanë një pension më të madh se 20 mijë lekë do marrin dyfishin e bonusit të viteve të mëparshme përmes një bonusi në masën 100 euro.
/rtsh.al/