RTSH 24 Live

Aktualitet

Vrasja e 14-vjeçarit- Prindër e nxënës sërish në protestë, kërkojnë dorëheqjen e ministres Manastirliu

4 orë para

Vrasja e 14-vjeçarit- Prindër e nxënës sërish në protestë, kërkojnë dorëheqjen e ministres Manastirliu

Prindër e nxënës të shkollës “Fan Noli” dhe disa shkollave të tjera, janë ngritur sërish në protestë këtë të mërkurë (27 nëntor) në lidhje me vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani.

Marshimi ka nisur nga shkolla “Fan Noli”, për t’u drejtuar drejt Ministrisë së Arsimit ku do të kërkojnë dorëheqjen e Ministres Ogerta Manastirliu.

Me pankarta në duar “Institucionet e papërgjegjshme vrasin” dhe me thirrjet “Reagoni”,  “Bashkojuni protestës për jetën”, “Çohuni” prindërit kërkojnë që institucionet arsimore të jenë më të përgjegjshme mbi sigurinë e nxënësve në shkolla dhe monitorim me kamera me qëllim parandalimin e ngjarjeve të rënda.

Ne sot kërkojmë drejtësi për Martinin. Kemi dalë si prindër. Kemi dalë për të gjithë fëmijët që kërkojnë siguri më tepër në shkolla dhe një proces mësimor të drejtë.

Njëkohësisht duam të sensibilizojmë opinionin publik se nuk janë vetëm dhe kjo është lëvizje e nevojshme e prindërve”, tha një prej protestuesve.

Ne do vazhdojmë deri sa të vendoset drejtësia dhe dorëheqja e ministres së arsimit”, deklaroi një tjetër protestues.

Kjo është e disata protestë që mbahet pas ngjarjes tragjike të 18 nëntorit. Në protestën e mbajtur dy ditë më parë, të pranishëm kanë qenë dhe Angel Cani, babai i vogëlushit të ndjerë dhe gjyshi i Martinit të ndjerë.

Vetëm drejtësi, nuk dua askush të përfitojë nga rasti. Në rast se nuk do zgjidhet ky problem, që Martini të shkojë në vendin e duhur, unë do e ndjek këtë problem. Sikur ra Martini për hir të demokracisë, do bie dhe unë se s’ka çfarë më duhet më jeta”, ka deklaruar gjyshi i viktimës

Ngjarja tragjike ndodhi më 18 nëntor në afërsi të shkollës "Fan Noli”, ku tre të mitur u konfliktuan me njëri-tjetrin dhe si pasojë e plagëve të marra me mjete prerëse, 14-vjeçari Martin Cani humbi jetën në Spitalin e Traumës.

Duke marrë shkas nga vrasja e 14-vjeçarit, qeveria shqiptare ka nisur një diskutim publik lidhur me mundësinë e mbylljes së platformave TikTok dhe Snapchat ose për vendosjen e një kufizimi moshe për përdorimin e rrjeteve sociale.

/rtsh.al/