RTSH 24 Live

Kosovë

Bllokimi në kufi i qytetarëve të Kosovës, zëdhënësi i BE: Serbia ka shkelur marrëveshjen për lëvizjen e lirë

17/04/2024

Bllokimi në kufi i qytetarëve të Kosovës, zëdhënësi i BE: Serbia ka shkelur marrëveshjen për lëvizjen e lirë

Zëdhënësi i Bashkimit Europian për politikë të jashtme dhe të sigurisë, Peter Stano ka deklaruar se Serbia është duke shkelur marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, lidhur me rastin e ndalimit të udhëtarëve dhe autobusëve nga Kosova. Në një prononcim për REL, Stano tha se BE është në dijeni të situatës dhe se po e ndjek nga afër.

"Ne jemi në dijeni për situatën dhe po e përcjellim për së afërmi. Marrëveshja për lirinë e lëvizjes e arritur në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, cakton parametrat e qartë rreth hyrjes dhe daljes së qytetarëve të Kosovës në dhe nga Serbia. Situata momentale paraqet shkelje të kësaj marrëveshjeje”, ka deklaruar Stano.

Autoritetet serbe kanë ndaluar autobusë me udhëtarë nga Kosova, në kufijtë me Kroacinë dhe Hungarinë. Autoritetet e Kosovës kanë reaguar, duke e konsideruar  si "shenjë hakmarrjeje ndaj mbështetjes nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë".

Por, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë i ka mohuar akuzat, duke deklaruar se janë "duke u forcuar kontrollet kufitare".

/rtsh.al/