Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë në bashkëpunim me shoqata të ndryshme të biznesit, ka paraqitur një kërkesë të përbashkët drejtuar Qeverisë Shqiptare për një paketë fiskale të vitit 2025.
Në një deklaratë për mediat, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë bën të ditur se me anë të kësaj kërkese, synohet një mbështetje më e madhe për sipërmarrjen dhe rritje të konkurrueshmërisë në tregun ndërkombëtar.
Dokumenti është firmosur nga Shoqata e Ndërtuesve, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar (KASH), Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit (IPQ), Shoqata Shqiptare e Turizmit (ATA) dhe Shoqata e Industrisë Ushqimore Shqiptare (AFI), ALTAX dhe Shoqata e Bimëve Medicinale. Ato i kanë paraqitur qeverisë disa propozime konkrete për përmirësimin e kushteve fiskale dhe përballimin e sfidave që po kalon sipërmarrja.
Në këto kushte, DHTI-Tiranë dhe shoqatat e tjera kërkojnë që qeveria të ngre një grup pune të përbashkët me ekspertë nga sektori privat dhe institucionet përgjegjëse për ekonominë, për të adresuar këto çështje dhe për të përgatitur një paketë fiskale që mbështet rritjen e qëndrueshme të ekonomisë shqiptare
Në kërkesë, theksohet gjithashtu nevoja për një stabilitet dhe parashikueshmëri më të madhe në ligjet tatimore, duke kërkuar që ndryshimet ligjore të Paketës Fiskale të jenë të qarta dhe të qëndrueshme për periudhën 2024-2027, pa ndërhyrje të papritura që mund të dëmtojnë planifikimin e biznesit.
/ rtsh.al /