RTSH 24 Live

Aktualitet

Bizhga firmos urdhrin për kompensimin ushqimor për policët

18/09/2024

Bizhga firmos urdhrin për kompensimin ushqimor për policët

Efektivët e policisë do të marrin kompensimin ushqimor. Urdhri është firmosur nga drejtori i komanduar i Policisë së Shtetit, Sokol Bizhga, i cili u ka kërkuar sektorëve të njësive shpenzuese pranë drejtorive të policive që të derdhin detyrimin e kompensimit ushqimor në llogaritë e punonjësve të policisë.

Kompensimi do të nis që nga detyrimet e mbetura nga dhjetori 2023 deri në gusht të 2024, ku çdo efektiv do të paguhet në varësi të orëve të punës.

Sipas vendimit të Bizhgës, kompensimi ushqimore do u derdhet efektivëve të policisë çdo muaj.

Bazuar në, Ligjin nr. 9936, datë 26.06.2008, "Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë", VKM nr.189, datë 15.03.2017, "Për trajtimin me ushqim të punonjësve të Policisë së Shtetit, të studentëve dhe kursantëve në institucionet arsimore të Policisë së Shtetit, si dhe shtetasve të ndaluar ose të arrestuar, deri në sqarimin e pozitës së tyre", të ndryshuar, Udhëzimin e MB nr. 95, datë 30.05.2024, “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për përdorimin e kartës së posaçme në njësitë tregtare ushqimore ose rrjetet e tyre nga punonjësit e policisë se Shtetit", shkresës së Sekretarit të Përgjithshëm nr. 9759/5 datë 17.09.2024 "Njoftim mbi ndryshimin e fondeve për shpenzime korente në zbatim të Aktit Normativ nr. 3, datë 28.08.2024", ju bëjmë me dije miratimin e fondit të kompensimit ushqimor.

Për sa më sipër;

  1. Sektorët/seksionet e financave të njësive shpenzuese të DPPSH të kryejnë pagesën në vlerë të detyrimit për muajin Dhjetor 2023, në llogarinë e pagës së punonjësve të policisë.
  2. Sektorët/seksionet e financave të njësive shpenzuese të DPPSH të kryejnë derdhjen e shumës përkatëse, për periudhën Janar-Gusht 2024, për çdo punonjës policie, në llogarinë e kartës së posaçme të ushqimit (këto të hapura në bankat e nivelit të dytë, sipas preferencës së vetë punonjësit të policisë).
  3. Në vijim pagesa e kompensimit ushqimor do të kryhet për çdo muaj sipas detyrimeve përkatëse. Për sa më sipër të merren masa të menjëhershme për bërjen efektive të fondeve të miratuara”, thuhet në urdhrin e Bizhgës.

/rtsh.al/