RTSH 24 Live

Botë

Biden emëron gjeneralin Charles "CQ" Brown Jr, si kryetar i ri i Shefave të Shtabit të ushtrisë amerikane

25/05/2023

Biden emëron gjeneralin Charles "CQ" Brown Jr, si kryetar i ri i Shefave të Shtabit të ushtrisë amerikane

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka emëruar Gjeneralin, Charles "CQ" Brown Jr, si kryetari i ardhshëm i Shefave të Shtabit të Përbashkët të ushtrisë amerikane. Ky është oficeri më i lartë ushtarak në SHBA.

Gjenerali Brown, aktualisht shefi i shtabit të Forcave Ajrore, do të zëvendësojë gjeneralin Mark Milley, mandati i të cilit përfundon në shtator. Nëse konfirmohet, ai do të ishte një tjetër ushtarak me ngjyrë që mban këtë post të lartë në historinë e SHBA-së, pas gjeneralit Colin Powell, i cili shërbeu në këtë funksion nga viti 1989 deri në vitin 1993.

Kryetari është këshilltari më i lartë ushtarak i presidentit.

Duke shpallur emrin e gjeneralit Brown në një ceremoni në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë të enjten, Biden e quajti atë një "luftëtar" që "ka ardhur nga një linjë krenare ushtarakësh".

"Ai e di se çfarë do të thotë të jesh në betejë dhe si të ruash gjakftohtësinë kur gjërat vështirësohen,"- tha ai. 

"Ai fitoi respektin e aleatëve dhe partnerëve tanë në mbarë botën, të cilët e konsiderojnë gjeneralin Brown si një partner të besueshëm dhe një strateg i nivelit të lartë."

Zoti Biden falënderoi gjithashtu gjeneralin Milley për vitet e tij të shërbimit për udhëheqjen e ushtrisë përmes "mjedisit më kompleks të sigurisë me të cilin është përballur bota jonë për një kohë të gjatë".

Si shef i shtabit të Forcave Ajrore, Gjeneral Brown mbikëqyr trajnimin dhe pajisjen e gati 700,000 ushtarëve dhe personelit ushtarak, si në SHBA ashtu edhe jashtë vendit. BBC

/rtsh.al/