RTSH 24 Live

Sociale

Berisha: PD në pushtet do të rishpërndajë të ardhurat dhe pasuritë publike!

5 orë para

Berisha: PD në pushtet do të rishpërndajë të ardhurat dhe pasuritë publike!

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, shpalli të premten publikisht atë që e konsideroi ndryshim rrënjësor në programin e Partisë Demokratike.

Sipas Berishës, ky ndryshim rrënjësor i programit të PD parashikon një ndërhyrje të fuqishme, një përmbysje të vërtetë në shpërndarjen e të ardhurave dhe pasurive publike në Shqipëri.

“Ajo që PD dhe qeveria e saj ka në dorë është të përmbysë skemën e gjertanishme të shpërndarjes së të ardhurave dhe pasurive publike në mënyrë që shqiptarët në vendin e tyre të kenë një jetë normale, pavarësisht nga aktiviteti i tyre”, u shpreh Berisha.

Berisha theksoi më tej se Shqipëri është vendi me përqindjen më të lartë në Europë, dhe ndër më të lartat në botë për një shpërndarje çnjerëzore e të ardhurave dhe nga plaçkitja masive e tyre dhe burimeve natyrore.

“Kemi shpallur minimumin jetik 200 euro për çdo shqiptar. Kemi shpallur dyfishimin e rrogave dhe pensioneve gjatë mandatit të parë, rritjen e pensioneve mbi bazën e 200 eurove të minimumit jetik. Kemi shpallur heqjen e TVSH-së për ushqimet bazë”- u shpreh Berisha.

Por, analiza e të gjitha këtyre masave dhe ballafaqimi i tyre me realitetin, shtoi Berisha, tregon se janë të domosdoshme një seri masash të tjera.

“Në qoftë se sot 80 përqind e të ardhurave shkojnë për t’u vjedhur në investime kapitale, kjo shifër do të harrohet. Përparësi absolute do ketë investimi tek njeriu dhe kapitali njerëzor, tek rroga, pensionet, minimumi jetik dhe një përpjekje e madhe për të shuar sirenat e mjerimit”, u shpreh Berisha.


/ rtsh.al /