RTSH 24 Live

Politikë

Berisha: Në 8 vite u larguan 1 mln shqiptarë. Shqipëria po shfaroset nga braktisja

01/04/2023

Berisha: Në 8 vite u larguan 1 mln shqiptarë. Shqipëria po shfaroset nga braktisja

Kreu i grupit politik ‘Rithemelimi’ të Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar nga Bulqiza se sot vendi lëngon nga braktisja. Pasi prezantoi kandidatin Dëfrim Fiku për zgjedhjet vendore të 14 majit, Berisha tha se nuk ka komb tjetër mbi tokë që po braktiset në këtë mënyrë siç po ndodh me Shqipërinë.

Sot Shqipëria lëngon në të 4 anët e saj, sot Shqipëria ka një thirrje dhe vetëm një thirrje; mos më braktisni., mos më braktisni. Sot nuk ka komb tjetër mbi tokë që braktis kombin e vet si ne shqiptarët dhe ju garantoj, se nuk ka tokë dhe vend tjetër më të pasur se Shqipëria.

Se këtu ku jemi ne, pak, disa qindra metra ndodhen 25 milionë ton krom, rezervë botërore kromi. Se në të 4 anët e Dibrës, rezervat janë përrallore në çdo aspekt, në turizëm, bujqësi, ujëra në çdo gjë”, u shpreh Berisha.

Sipas Berishës, në 8 vite Shqipëria ka humbur mbi 1 milionë qytetarë të cilët e kanë braktisur vendin, gjë që sipas tij, nuk e ka bërë as edhe pushtuesit.

Pse Bulqiza, pse Shqipëria në 8 vite ka humbur mbi 1 mln qytetarë, më shumë se 1/3 e saj. Cilido që njeh historinë e Bulqizës, historinë e Dibrës dhe të Shqipërisë konstaton se kurrë në historinë tonë, ne nuk kemi patur shkretëtim të tillë.

Asnjë pushtues, asnjë pushtim, asnjë luftë, asnjë fatkeqësi natyrore nuk na kanë pakësuar ne në këtë mënyrë sa na kanë pakësuar në 8 vite”, theksoi Berisha.  

Për këtë arsye, Berisha shtroi disa pyteje se ku po shkon vendi dhe se a duhet të pranojnë më shqiptarët këtë shfarosje siç e quajti ai.

Atëherë a është jetike, a është e domosdoshme që secili nga ne të bëjë pyetjen; ku po shkojmë ne kështu, çfarë duhet të bëjmë ne, duhet të pranojmë këtë rrokullisje, pothuajse këtë shfarosje.

Po pse them shfarosje? Po nëqoftëse në 8 vite humbëm 1/3, duhet vetëm 16 vite për të humbur të tretat e tjera që kanë mbetur dhe kjo do të ishte, akti më i pafalshëm i yni, më i pafalshëm për vendin, për kombin, për fëmijët, por më i pafalshëm edhe për ata të cilët në kushte pakrahasimisht më të vështira se ne, ranë, u flijuan, vdiqën, vetëm e vetëm që Bulqiza, Dibra, Shqipëria të mbijetojë, vetëm e vetëm që shqiptarët të mbijetojmë.

A mund të dorëzohemi ne në këtë mënyrë? A na falet ne kjo gjë. Kurrën e kurrës”, tha Berisha.

/rtsh.al/