Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi të mërkurën në selinë blu një takim me simpatizantët e PD, të cilët i cilësoi si “qëndrestarët e “Rrugës së Shpresës”.
Berisha i dërgoi një përshëndetje Presidentit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta që sipas tij, “përballet me diktaturën e bandave dhe krimit në qelitë e burgut”, dhe deputetit Ervin Salianji, të cilin e cilësoi si “të pamposhtur që qëndron si kollos kundër narkodiktaturës, sepse mbrojti të vërtetat dhe bëri detyrën si deputet”.
Berisha u shpreh gjithashtu se arrestimi i tij u faktua si i paligjshëm.
“Padyshim që në serinë e sulmeve ndaj opozitës me "non gratat", vjedhje flamuri, mohimin e të drejtave kushtetuese të deputetëve opozitarë në parlament, arrestimi i kreut të opozitës shënoi goditjen më të rëndë që na u bë, sepse me këtë akt, kreu i narkoshtetit dhe mercenarët e tij, tentuan të shtinin terror, jo vetëm në votrat, por edhe në zemrat e demokratëve shqiptarë”, tha Berisha.
Berisha theksoi se shqiptarët nuk mund t’i trembë asgjë.
“Kush do ti trembë shqiptarët, Irena me 5 mbiemra, apo Dumani mercenar. Jo mor kurrë. Shqiptarin e vërtetë nuk e tremb asgjë. Ja pse ju u mblodhët atë ditë ndonëse ishte një ditë pushimi, pas ndërrimit të viteve. Ja pse ju u mblodhët spontanisht atë ditë ndonëse bënë përpjekjet më ekstreme për tu frikësuar, për tu zbrapsur, për t’ju shtyrë që të dorëzoheshit”, tha Berisha, duke kujtuar protestën e parë poshtë dritares së shtëpisë së tij më 2 janar të këtij viti.
Sipas tij, “rrugica që Edi Rama kërkoi ta kthente në qelinë politike të opozitës, ju të rinjtë, te reja, burra dhe gra, e shndërruat në rrezen e shpresës për shqiptarët, kur ishin ditët më të zeza për demokratët.
Prandaj dhe vetëm pak ditë më vonë, atë rrugë ju e inauguruar si Rrugën e Shpresës. Dhe sot 333 ditë më vonë në këtë numër të bekuar, qëndresa e rrugës së shpresës ka siguruar vendin e saj në histori të qëndresave të mëdha shqiptare”.
/ rtsh.al /