Edhe këtë javë Gjykata e Posaçme nuk arriti të marrë një vendim për dosjen e sterilizimit me të pandehur ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë, Klodjan Rjepaj, biznesmenin Ilir Rrapaj dhe ish-ministrin Ilir Beqaj.
Ishte kërkesa e këtij të fundit për ndryshimin e gjyqtares së seancës paraprake, që çoi në shtyrjen e seancës, e cila do të mbahet më 23 janar.
Këtë të enjte, seanca u zhvillua me debate pas pretendimeve të Beqajt se gjyqtarja nuk ka paraqitur të arsyetuar vendimin për ashpërsimin e veprës penale ndaj tij, që i shtoi ish-ministrit akuzën e "vjedhjes duke shpërdoruar detyrën" në kuadër të grupit kriminal.
Ndër gjetjet e konstatuara janë procedurat e ndjekura për fituesin dhe mosrealizimi i kushteve të parashikuara në kontratë.
Ndërkohë kompanisë fituese iu dorëzua një qendër moderne sterilizimi, ndërtuar në Qendrën Spitalore "Nënë Tereza" me kredi nga qeveria, por ajo nuk u vu asnjëherë në funksionim.
/rtsh.al/