Gjatë një vizite që zhvilloi në komandën e KFOR-it në Prishtinë, Presidenti Bajram Begaj u takua me komandantin e këtij misioni, Gjeneralmajor Enrico Barduanin, dhe efektivët shqiptarë që shërbejnë aty.
Me komandantin e KFOR-it, Presidenti Begaj diskutoi mbi sfidat e sigurisë me të cilat përballet Kosova në kontekstin e zhvillimeve, sidomos në veri të vendit dhe në të gjithë rajonin. Presidenti i Republikës i shprehu Gjeneralmajor Barduanit mirënjohje për kontributin dhe, gjithashtu, i përcolli falënderimet për vendin e tij, Italinë, e cila ka numrin më të madh të trupave në Kosovë.
Kreu i Shtetit theksoi domosdoshmërinë e pranisë së KFOR-it për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë, ndërsa vlerësoi rolin kyç që ky mision ka luajtur deri tani jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin në Ballkan.
Presidenti Begaj i shprehu komandantit të KFOR-it, Gjeneralmajorit Enrico Barduani, mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-s dhe misionit të KFOR-it, të cilin e cilësoi si “histori suksesi”, si edhe gatishmërinë e Shqipërisë për të rritur numrin e trupave nëse do të jetë e nevojshme.
Shqipëria ka në shërbim të KFOR-it numrin më të madh të efektivëve që marrin pjesë në misionet ndërkombëtare jashtë vendit. Gjatë takimit me ushtarakët shqiptarë, Presidenti i Republikës, në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, vlerësoi angazhimin dhe përkushtimin e tyre për një shërbim të cilin e çmon me rendësi të madhe kombëtare pasi, siç u shpreh, krahas kontributit në NATO, për paqen dhe sigurinë, pjesëmarrja e tyre në KFOR i shërben paqes, sigurisë dhe mirëqenies së Kosovës, e cila është prioriteti ynë.
Presidenti Begaj vlerësoi se përmirësimet ligjore dëshmojnë për vëmendjen dhe mbështetjen në rritje të institucioneve ndaj Forcave të Armatosura.
/rtsh.al/