RTSH 24 Live

Politikë

Begaj takon Sekretarin e Përgjithshëm të BSEC: Konsolidojmë bashkëpunimin

06/11/2024

Begaj takon Sekretarin e Përgjithshëm të BSEC: Konsolidojmë bashkëpunimin

Presidenti Bajram Begaj, priti në një takim Asaf Hajiyev, Sekretar i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BSEC).

Gjatë takimit, Begaj risolli në vëmendje kontributin e Shqipërisë përgjatë Presidencës së shkuar gjashtëmujore të kësaj organizate, bazuar në moton domethënëse: “Të bashkuar për një bashkëpunim paqësor në zonën e BSEC”.

Si anëtare themeluese e BSEC-së, Shqipëria ka punuar për ngritjen e bashkëpunimit në një nivel më të qëndrueshëm ekonomik dhe social, në forcimin e organizatës dhe ndërveprimin me Bashkimin Evropian.

Shqipëria”, - nënvizoi Presidenti Begaj, “vlerëson se BSEC-ja, si promovuese dhe nxitëse e bashkëpunimit dhe e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, përfaqëson një model të diplomacisë shumëpalëshe politike dhe ekonomike”.

Ne duhet të vijojmë më tej konsolidimin e Asamblesë Parlamentare dhe Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, me synim rritjen e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin e BSEC-së”, theksoi Begaj.

Presidenti i përcolli Hajiyevit përgëzimet për arritjet e Asamblesë Parlamentare të BSEC-së në partneritetin mes parlamenteve dhe organizatave të tjera ndërkombëtare për zbatimin e projekteve dhe përmbushjen e synimeve të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi.

/rtsh.al/