RTSH 24 Live

Politikë

Begaj nuk i dekreton, ligjet për kanabisin dhe për studimet në mjekësi kalojnë në heshtje

15/08/2023

Begaj nuk i dekreton, ligjet për kanabisin dhe për studimet në mjekësi kalojnë në heshtje

Presidenti Bajram Begaj “ka kaluar” në heshtje dy projektligjet e miratuara nga Kuvendi më 21 korrik, atë për përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore dhe pr.ligjin për studimet në Mjekësi.

Kreu i shtetit ka zgjedhur rrugën e mesme për t’i dhënë “ok” dy prej projektligjeve më të kundërshtuara nga opozita në sesionin e kaluar parlamentar.

Teksa kanë kaluar më shumë se 20 ditë nga depozitimit i pr.ligjeve nga Kuvendi në Presidencë, Begaj zgjodhi një rrugë të mesme për të mos u bërë pengesë për dekretimin e ligjeve.

Sipas Kushtetutës, ligjet quhen të shpallura nëse Presidenti nuk ushtron të drejtat për ta miratuar brenda 20 ditëve nga dita e depozitimit të tyre.

Neni 84

  1. Presidenti i Republikës shpall ligjin e miratuar brenda 20 ditëve nga paraqitja e tij.
  2. Ligji quhet i shpallur, në qoftë se Presidenti i Republikës nuk ushtron të drejtat e parashikuara në paragrafin 1 të këtij neni dhe në paragrafin 1 të nenit 85.
  3. Ligji hyn në fuqi me kalimin e jo më pak se 15 ditëve nga botimi i tij në Fletoren Zyrtare. 4. Në rastet e masave të jashtëzakonshme, si dhe në rast nevoje e urgjence, kur Kuvendi vendos me shumicën e të gjithë anëtarëve dhe Presidenti i Republikës jep pëlqimin, ligji hyn në fuqi menjëherë, vetëm pasi të jetë njoftuar publikisht.

Ligji duhet të botohet në numrin më të parë të Fletores Zyrtare.

Ligji për përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore u miratuan me 69 vota pro, 23 kundër, 3 abstenim, ndërsa 39 deputetët nuk votuan.

Pro ligjit për studimet në Mjekësi votuan 73 deputetë, teksa 23 u shprehën kundër, ndërsa 40 nuk kanë votuar. Ndryshimet në Ligjin e Akademisë së Shkenca kaluan me 70 pro, 23 kundër, 2 abstenim dhe 39 deputetë nuk votuan.

Studentët e mjekësisë u ngritën në disa protesta kundër miratimit të pr.ligjit për studimet në Mjekësi.

Në një takim të zhvilluar më 25 korrik mes studentëve të mjekësisë dhe Presidentit Begaj, ky i fundit u shpreh se do ta shqyrtonte me vëmendje pr.ligjin përpara se ta dekretonte, megjithatë pas kësaj dite nuk ka pasur asnjë reagim nga Kreu i Shtetit, ndërsa tashmë ligji pritet të publikohet në Fletoren Zyrtare.