RTSH 24 Live

Rajon

BE mbështetje Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për ngritjen e rrjetit hekurudhor

17/04/2024

BE mbështetje Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për ngritjen e rrjetit hekurudhor

Me ndihmën financiare të BE-së për përgatitjen e projekteve dhe bashkëfinancimin e investimeve sipas Planit Ekonomik dhe Investiv, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po përmirësojnë linjat ekzistuese hekurudhore, duke ndërtuar hallkat që mungojnë përgjatë Korridorit VIII për të hequr pengesat, për të shkurtuar distancat fizike, për të rritur lidhjen dhe për të zhvendosur më shumë pasagjerë dhe mallrave në mënyra të qëndrueshme të transportit.

“Reforma dhe masa po shoqërojnë këto investime për të përmirësuar konkurrueshmërinë e sektorit hekurudhor”, bëhet e ditur në një njoftim të publikuar ditët e fundit në faqen e WBIF-së (Instrumenti i Investimeve Për Ballkanin Perëndimor), një platformë investimi me shumë donatorë e udhëhequr nga BE-ja dhe mekanizmi kryesor financiar për zbatimin e Planit Ekonomik dhe të Investimeve në fushat e infrastrukturës publike dhe konkurrencës së sektorit privat.

Korridori VIII hekurudhor që krijon lidhjen e brendshme Lindje-Perëndim midis Detit të Zi dhe Detit Jon, duke kaluar përmes Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Kosto totale e hekurudhës nga Durrësi deri në Bullgari është përllogaritur në rreth 2 miliardë euro, nga të cilat rreth 0.4 miliardë euro do të investohen në dy segmentet e hekurudhore shqiptare, atë Durrës-Rrogozhinë dhe Rrogozhinë-Kufiri me Maqedoninë e Veriut.

Në dhjetor të vitit të shkuar Komisioni Europian akordoi një grant prej 62 milionë eurosh për segmentin hekurudhor Durrës-Rrogozhinë. Vlera totale e këtij investimi të rëndësishëm infrastrukturor është parashikuar të jetë 120.5 milionë euro.

Segmenti hekurudhor Durrës-Rrogozhinë është pjesë e linjës hekurudhore Durrës – Pogradec, e cila parashikohet të lidhet me Maqedoninë e Veriut (në fshatin Lin).

Projekti përfshin zgjerimin e trasesë nga Shkozeti në Rrogozhinë, në një gjatësi prej 33.1 km, si dhe ndërtimin e urave të reja në përputhje me standardet europiane dhe kushtet gjeologjike-inxhinierike e sizmologjike të zonës së projektit.

Po ashtu parashikohet përmirësimi i trupit të trasesë, ngritja e ndërtesave të reja të stacioneve në Golem, Kavajë, Lekaj e Rrogozhinë, si dhe rehabilitimin e trekëndëshit të Shkozetit.

Segmenti tjetër hekurudhor Rrogozhinë-Kufiri me Maqedoninë e Veriut pjesë e Korridorit VIII parashikon rehabilitimin e të gjithë linjës hekurudhore prej 120.3 km nga Rrogozhina deri në Lin dhe ndërtimin e një lidhjeje hekurudhore me gjatësi 2.8 km nga Lini në Kufirin me Maqedoninë e Veriut. Kosto llogaritet afërsisht 356 milionë euro.

/ rtsh.al /