RTSH 24 Live

Europë

Lëvizjet e emigrantëve në Ballkan, Shqipëria një "trampolinë" e shpejtë drejt Perëndimit

30/04/2024

Lëvizjet e emigrantëve në Ballkan, Shqipëria një "trampolinë" e shpejtë drejt Perëndimit

Turqia mbetet një nga nyjat kryesore për nisjen e emigrantëve drejt Ballkanit Perëndimor, ndërsa Shqipëria, një vend që përdoret si trampolinë nga ta drejt destinacioneve në perëndim të Europës.

Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare publikoi të hënën një raport për situatën me lëvizjet e emigrantëve në rajon për periudhën 1–31 mars 2024. Sondazhi me 1.484 emigrantë të intervistuar u realizua nga Organizata Botërore për Emigracionin (IOM).

Në mars, rezultatet treguan se emigrantët zgjodhën rrugë të reja brenda Ballkanit: përqindja e atyre që hynë në Bosnjë-Hercegovinë nga Serbia u ul nga 90 në 75 për qind, ndërsa nga Mali i Zi në Bosnjë-Hercegovinë u rrit nga 5 në 15 për qind.

Kalimi përmes Shqipërisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës ishte më i shpejtë mesatarisht sesa përmes Bosnjë-Hercegovinës dhe Serbisë. Emigrantët e ardhur në Shqipëri shpenzuan rreth 4 ditë në vend, 3 ditë në Kosovë, 5 ditë në Malin e Zi, 10 ditë në Maqedoninë V., 23 ditë në Serbi dhe 30 ditë qëndrimi në Bosnjë-Hercegovinë. 675 ditë ishte koha mesatare që prej largimit nga vendi i origjinës.

Mënyra kryesore e udhëtimit në Shqipëri ishte në këmbë dhe më tej me autobus.

Në mars 2024, 44 për qind e emigrantëve të intervistuar deklaruan se u ndihmuan për të kapërcyer kufirin në vendin ku kaluan kundrejt një pagese mestare prej 500 euro. Emigrantët përdorën medie sociale dhe aplikacione si WhatsApp, Facebook dhe Viber për të organizuar udhëtimet.

Në vendet e përkohshme të pritjes, si në rastin e Shqipërisë, emigrantët raportuan se mënyra e akomodimit privat ishte më e përdorura në 69% të rasteve, ndërsa kampet u shfrytëzuan në Bosnjë-Hercegovinë (83%) dhe Kosovë (83%). Personat e intervistuar thanë se paguan 13 euro në ditë për t'u akomoduar privatisht ose në hotele në Ballkanin Perëndimor.

Ndërsa destinacionet ndryshojnë sipas personit, 71% e të intervistuarve nga Siria thanë se donin të udhëtonin drejt Gjermanisë; emigrantët nga Maroku drejt Italisë (44%), Francës (18%) e Gjermanisë (17%); ndërsa emigrantët nga Afganistani parapëlqenin Gjermaninë (56%) dhe Italinë (24%). /OCHA

/rtsh.al/