Bashkimi Evropian ka shprehur shqetësimin për veprimet e fundit të autoriteteve të Kosovës, që përfshijnë mbylljen e strukturave paralele në veri të mbështetura nga Serbia.
Në një deklaratë, BE thekson se këto veprime bien në kundërshtim me detyrimet e Kosovës në kuadër të procesit të normalizimit
“Veprimet e fundit të Kosovës kundër dhe mbyllja e strukturave të mbështetura nga Serbia, të kryera në mes të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, bien ndesh me detyrimet e saj ndaj Bashkimit Evropian në kuadër të procesit të normalizimit. EULEX-i është duke monitoruar sjelljen e këtyre veprimeve të fundit në përputhje me mandatin e tij. Statusi i këtyre strukturave duhet të zgjidhet përmes Dialogut dhe jo përmes veprimeve të njëanshme,” thuhet në deklaratë.
BE-ja i bën thirrje Kosovës të respektojë angazhimet e saj dhe të qëndrojë konsistente me detyrimet që ka marrë përsipër, duke theksuar se veprimet e fundit mund të dëmtojnë përpjekjet për uljen e tensioneve në veri të vendit.
EULEX-i, misioni i BE-së në Kosovë, është duke monitoruar këto zhvillime, ndërsa BE-ja rikujton se masat ndaj Kosovës do të hiqen vetëm nëse Kosova ndërmerr hapa konkretë për de-përshkallëzimin e situatës.
“Kosova duhet të demonstrojë dhe të qëndrojë konsistente me detyrimet e saj në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe riangazhimit të saj të fundit ndaj tij. Përderisa, siç thuhet në konkluzionet e Këshillit të vitit 2024 për zgjerimin, BE-ja gradualisht do të heqë masat ndaj Kosovës paralelisht me hapat e mëtejshëm të Kosovës për të de-përshkallëzuar tensionet në veri, këto veprime nuk janë të favorshme për këtë qëllim”, thuhet në deklaratën e BE.
Nga ana tjetër ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami, i është përgjigjur BE-së duke thënë se ato ishin struktura ilegale të drejtuara nga Serbia.
“Për sqarim: Nuk ka struktura të mbështetura nga Serbia në Kosovë; këto ishin struktura ilegale të drejtuara nga Serbia. Nuk ka marrëveshje që parashikon negociata për të ardhmen e këtyre strukturave dhe operacioni i sotëm i Policisë së Kosovës nuk shkaktoi tensione”, shkruan Bajrami.
Një ditë më parë, Kosova mbylli institucionet paralele të Serbisë në dhjetë komuna, në Lipjan, Obiliq, Prishtinë, Fushë Kosovë, Vushtrri, Novobërdë, Kamenicë, Viti, Rahovec, Skënderaj si dhe posta e zyre tatimore.
/rtsh.al/