RTSH 24 Live

Maqedoni e Veriut

BDI e dëshpëruar për humbjen e pushtetit, Ahmeti: Fronti Europian, përfaqësues legjitim i shqiptarëve

29/05/2024

BDI e dëshpëruar për humbjen e pushtetit, Ahmeti: Fronti Europian, përfaqësues legjitim i shqiptarëve

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, tha këtë të mërkurë (29 maj) se Fronti Evropian është përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe jo koalicioni VLEN, që tani është pjesë e shumicës së re parlamentare dhe pritet të jetë pjesë e Qeverisë së re.

Për këtë arsye ai paralajmëroi “aktivitete për mbrojtjen e votës së shqiptarëve”.

“Vota juaj nuk guxon të shkojë huq dhe ne jemi këtu bashkë me ju që t’i prijmë fitores suaj dhe ta zbatojmë vullnetin tuaj si fitimtarë” u shpreh ai.  Por, drejtuesit e koalicionit VLEN, gjithashtu, pretendojnë se janë përfaqësues legjitimë pasi thonë se ka fituar “vota të pastra shqiptare” kundrejt Frontit Evropian që në zgjedhje ka marrë vota edhe nga 4 parti që i përkasin bashkësive të tjera etnike.

I pyetur nëse braktisja e punimeve të Kuvendit të martën, në të cilën Afrim Gashi nga koalicioni VLEN dhe VMRO DPMNE-ja u zgjodh për kryetar të Kuvendit, Ahmeti tha se “ndihej i fyer të qëndronte në një seancë të tillë. “Nuk bëhet fjalë për bojkot. Ne do t’i shfrytëzojmë të gjithë mekanizmat demokratik për mbrojtjen e legjitimitetit të fituar.

Ne morëm pjesë në Kuvend në verifikimin e mandateve, por e braktisëm sallën sepse ndiheshin të fyer pasi po shkelej legjitimiteti i të gjitha atyre që votuan më 8 maj”, u shpreh kreu i BDI.

Gazetar: Artur Mata

/rtsh.al/