Baza e re në Kuçovë u inaugurua të hënën me ceremoni shtetërore, në praninë e krerëve më të lartë të shtetit si edhe përfaqësues të NATO-s.
Investimi mbi 50 milionë euro, më së shumti prej Aleancës së Atlantikut Verior, është planifikuar të ndiqet nga aplikimi për bashkëfinancimin e bazës së re detare në Porto-Romano.
Kolonel Luan Sadiku, i ftuar në studion e "Ekspres" në RTSH, tregoi se baza e Kuçovës ka një historik gati 90-vjeçar dhe prej 20 vitesh nuk përdorej për fluturime.
"Baza ajrore e Kuçovës i ka fillimet e veta në vitin 1936, e projektuar nga forcat italiane. Janë dashur rreth tre vite studim që të zgjidhej vendi më i përshtatshëm për bazën. Fluturimi i fundit është kryer në vitin 2005 dhe që atëherë ka qenë në stanjacion, pa ndonjë aktivitet fluturues. Pas 20 vitesh, zhurma e reaktivit sot solli buzëqeshje në sytë e njerëzve.
Afati 20-vjeçar i mbajtjes pa përdorim kishte ndikuar në reduktimin e disa kapaciteteve, edhe njerëzore. Baza ajrore e Kuçovës u përzgjodh si bazë taktike e NATO-s në vitin 2013. Në ato vite nuk kishte konflikte në rajon apo Mesdhe, megjithatë NATO-ja shihte që në krahun juglindor të kishte një bazë të dedikuar taktike," u shpreh kolonel Sadiku.
Pas inaugurimit, në pistën e rindërtuar, flota italiane uli dy avionët e parë tip F-2000 Eurofighter.
Kolonel Sadiku, njëherësh zv.komandant i Flotës Ajrore, tha se infrastruktura e bazës së Kuçovës është rikonceptuar.
"Që një bazë të quhet operacionale duhet që infrastruktura në tokë të jetë e përshtatshme për operimin e mjeteve ajrore. Në këtë kuadër, përshtatja për ta kthyer bazën në taktike ajrore për NATO-n nisi me pistën, e dizenjuar për uljen e avionëve luftarake F-15 dhe për avionë transporti C-130. Pra janë bërë llogaritje të sakta, duke filluar nga shtresa e asfaltit, e betonit, me gjatësi e gjerësi, ndriçimi, për të qenë funksionale si pistë. Ndër elementet mbështetëse, janë ndërtuar dy depozita të mëdha karburanti dhe sistemi i përdorur në to është tepër modern dhe i sigurt. Shumë e sigurt për një bazë ajrore të NATO-s është vendi ku do të ruhet armatimi. Ajo që ju shikoni si bunker në rast shpërthimi të municionit të avionëve që gjenden të dislokuar, asnjë nga mjetet ajrore apo personeli nuk do të dëmtohet. Përfundimi i gjithë këtyre elementeve e ka bërë bazën ajrore të Kuçovës të përshtatshme për të qenë bazë ajrore taktike e NATO-s.
Baza taktike është një bazë e dizenjuar për t'u përdorur në nivel taktik, por ka edhe nivele strategjike e operacionale. Nëse shihet një kërcënim, në çdo sekondë të ditës e natës dislokohen menjëherë 6 avionë reaktivë, dy avionë transporti me infrastrukturën mbështetëse, dhe në rrezen ku ata operojnë është totalisht e sigurt," tha kolonel Sadiku.
Një risi ushtarake për Shqipërinë është edhe pajisja me dronë luftarakë "Bajraktar".
"Edhe dronët Bajraktar janë të stacionuar në bazën e Kuçovës dhe e përdorin pistën për ulje-ngritjen. Janë një shkencë më vete dhe kontrollohen totalisht nga personeli shqiptar i stërvitur nga kompania në Turqi. Dronët Bajraktar nuk janë vetëm avionë pa pilotë në ajër, me armatim. Ai mund të përdoret edhe në ndihmë të popullatës dhe me kamerën në qiell do të bëjë të mundur monitorimin në kohë reale të problematikës. Armatimi i tyre është tokë-tokë, tokë-ajër dhe ajër-ajër, i mjaftueshëm për nevojat operacionale sipas një vlerësimi të detajuar që kanë bërë Forcat e Armatosura të Shqipërisë," u shpreh zv.komandati i Forcës Ajrore.
/rtsh.al/