RTSH 24 Live

Kulturë

Bashkim Kuçuku për Ismail Kadarenë: Vepra e tij është monumentale dhe e pavdekshme

01/07/2024

Bashkim Kuçuku për Ismail Kadarenë: Vepra e tij është monumentale dhe e pavdekshme

Mëngjesi i 1 korrikut ishte i heshtur për shumë qytetarë shqiptarë dhe jo vetëm, të cilët u zgjuan me lajmin e hidhur të ndarjes nga jeta të shkrimtarit të madh, Ismail Kadare. Studiuesi dhe Kritiku, Bashkim Kuçuku, i ftuar në studion e RTSH 24 foli për veprën e Kadaresë, për te cilën tha se shkrimtari ishte i paarritshëm. Vepra e tij nga proza e poezia sot e përgjithmonë do të mbetet pasuri për lexuesin shqiptar.

Është ditë e trishtë për botën akademike, është ditë e trishtë sepse ndahet nga jeta një nga figurat më të mëdha të historisë shqiptare. Por është vepra e tij që është e pavdekshme. Është humbja e individit që ne donim ta kishim pranë si qenie njerëzore, por veprën e tij ai e ka kryer dhe që mbetet”, u shpreh ai.

Edhe pse Ismail Kadare u nominua disa herë për çmimin e madh Nobel, ai nuk arriti ta merrte atë, megjithatë Kuçuku thotë se nuk është ky çmim ai që e bën një shkrimtar të madh, por vepra e tij.

Një pjesë e botës e di që ai e ka marrë çmimin Nobel edhe pse nuk ja dhanë kurrë. Ka shumë faktorë që ndikojnë në marrjen e një çmimi Nobel, nuk është thjeshtë emri. Vepra e Kadaresë është shumë e madhe është shumë cilësore, në nivelet bashkëkohore botërore”, theksoi ai.

Gjatë gjithë jetës së tij Kadare u nderua me një sërë çmimesh të rëndësishme. Kadare do të jetojë përgjithmonë t lexuesi që aq shumë e deshi.

/rtsh/