RTSH 24 Live

Politikë

Bardhi kërkesë për interpelancë urgjente me Ramën: A është përfshirë vëllai yt në laboratorin e drogës në Xibrakë

01/04/2024

Bardhi kërkesë për interpelancë urgjente me Ramën: A është përfshirë vëllai yt në laboratorin e drogës në Xibrakë

Deputeti demokrat Gazment Bardhi ka kërkuar një interpelancë urgjente me kryeministrin Edi Rama, në seancë  e 4 prillit, ku kërkon që kreu i qeverisë të jap sqarim për atë që ai e cilëson si “përfshirjen e vëllai të tij Olsi Rama në laboratorin e drogës në Xibrakë”.

Në një kërkesë drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, deputeti Bardhi thotë se kjo vjen pas publikimit të të dhënave të reja më 28 mars, ndërsa shton se ka bërë edhe një padi në SPAK lidhur me hetimin e kësaj ngjarje.

“Në vijim të të dhënave të bëra publike të enjten, ku provohet dyshimi i arsyeshëm për përfshirjen e vëllait të Kryeministrit Olsi Rama, në organizatën kriminale të Laboratorit të Xibrakës, si dhe kërkesës zyrtare të dorëzuar të premten pranë SPAK për nisjen e hetimeve penale ndaj tij dhe rihapjen e procedimit penal të pezulluar nr.335/1-2016 për identifikimin e bashkëpunëtorëve të paidentifikuar”, thuhet në kërkesë.

 Bardhi kërkon që Kryeministri Edi Rama të jap shpjegime në Kuvend për 3 çështje.

 “1-      A ka patur informacione nga shërbimet informative apo strukturat e Policisë së Shtetit, për shoqërimin e një familjari të tij me anëtarët e një organizate të strukturuar kriminale, apo për përfshirjen e vëllait të tij në këtë veprimtari kriminale? Nëse po, çfarë masash janë marrë. Nëse jo, a ka kryer verifikime dhe a ka kërkuar informacion, pas të dhënave të bërë publike edhe më parë?

2-      A ka kërkuar dhe marrë informacion pse i vëllai, person me lidhje të forta politike, është përdorues i të njëjtit automjet me targë AA653DM, që në kohen e planifikimit dhe aktivitetit kriminal të Laboratorit të drogës në Xibrakë, përdoret nga Olsi Rama dhe 3 anëtarët e tjerë të organizatës kriminale?

3-      Çfarë e lidhte Olsi Ramën me kreun e narko-organizatës dhe pse krerët e organizatës, bashkë me vëllain tuaj Olsi Ramën përdorin të njëjtin automjet në të njëjtën periudhë të planifikimit dhe ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë? Çfarë bën i vëllai me të njëjtën makinë, të cilën e përdor në të njëjtën kohë një organizatë kriminale e trafikut të drogës?

Duke qenë se kjo çështje përbën shqetësim madhor dhe një çështje me natyrë urgjente për opozitën parlamentare, si dhe dhe në kushtet e një mungese tërësore të reagimit, veprimit apo sqarimit të rrethanave nga Kryeministri, në mbështetje të nenit 97 të Rregullores së Kuvendit, kërkojmë përfshirjen e kësaj kërkese për interpelancë urgjente me Kryeministrin në rendin e ditës të seancës së datës 04.04.2024.” – thuhet në shkresën e firmosur nga Gazment Bardhi dhe që pritet të depozitohet nesër në mëngjes për shkak të pushimit zyrtar të sotëm.

/rtsh.al/