RTSH 24 Live

Aktualitet

Balla homazhe në nder të efektivit Cenalia: Vrasja e tij, dorë kundër shtetit

15/05/2024

Balla homazhe në nder të efektivit Cenalia: Vrasja e tij, dorë kundër shtetit

Ministri i Brendshëm Taulant Balla bëri homazhe në nderim të efektivit të “Shqiponjave” Novruz Cenalia i cili mbeti i vrarë nga 23 vjeçari, Azgan Mërnica në Fier.

Balla i cili ishte i pranishëm edhe në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit të punonjësit të policisë u ka shprehur ngushëllimet familjarëve të Cenalias, kolegëve e eprorëve të tij.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ministri Balla shkruan se “kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit.”

Rëndësia e detyrës që mbart uniforma e Policisë së Shtetit, duhet ta bëjnë shoqërinë të reflektojë në marrëdhënien, sjelljen dhe respektin  ndaj punonjësve të policisë. Policia i ka shërbyer dhe i shërben me devotshmëri atdheut dhe qytetarëve, përplaset çdo ditë me kriminelë e keqbërës. Policia ka derdhur gjak, në emër të misionit dhe betimit të saj. Gjaku i policisë është gjaku i shtetit. Kush ngre dorë kundër punonjësit të policisë, ka ngritur dorë kundër shtetit,” – shprehet Ministri Balla.

Më herët ai ka theksuar shprehur se Policia e Shtetit do të bëjë gjithçka për arrestimin e autorit ndërkohë që i ka bërë thirrje familjarëve dhe vetë autorit për dorëzimin.

Efektivi i policisë, Novruz Cenalia u vra dy ditë më parë në fshatin Baltëz pas një konflikti të çastit me 23 vjeçarin Azgan Mërnica, i cili pas kryerjes së kësaj vrasje është në arrati.

Mësohet se deri më tani janë shoqëruar dhe marrë në pyetje në komisariat 12 persona për ngjarjen, kryesisht familjarë të autorit dhe mamaja e tij.

Kujtojmë që Novruz Cenalia u qëllua nga Azgan Mërnica, teksa mbante të veshur uniformën e policisë dhe po shkonte të merrte turnin.

Më herët u tha se ngjarja ka ndodhur për hakmarrje, por më pas kjo pistë u hodh poshtë duke thënë se ngjarja kishte ndodhur pas një konflikti të çastit.

Pasi qëlloi për vdekje 28-vjeçarin, Mërnica është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Një operacion i gjerë është shtrirë në të gjithë fshatrat pranë Baltëzës, në hyrje-daljet e Fierit dhe ato të qyteteve të tjera fqinje. Prej dy ditësh forcat e policisë, forcat speciale RENEA kanë vijuar kërkimet për gjetjen e autorit duke u shtrirë në disa qytete në jug të vendit.

Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion 30.000 euro për çdo informacion të vlefshëm që do të çojë në lokalizimin e Azgan Mërnicës. Kushdo që ka informacion të telefonojë në numrin pa pagesë 112, pasi Policia e Shtetit ju garanton anonimatin.

/rtsh.al/