RTSH 24 Live

Aktualitet

ATSH dhe WAM nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi në Kongresin Global të Medias

16/11/2022

ATSH dhe WAM nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi në Kongresin Global të Medias

Kongresi Global i Medias që po mbahet në Abu Dabi me përfaqësues nga shumë vende të botës është zgjedhur për të nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit mes Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) dhe Agjencisë së Lajmeve të Emirateve të Bashkuara Arabe, WAM.

Marrëveshja u nënshkrua nga drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa dhe Mohammed Jalal Al Raisi, drejtor i përgjithshëm i WAM-it.

Në këtë Kongres ATSH është e pranishme me një stendë të saj.

Zhupa theksoi se “për ATSH-në qëllimi i këtij bashkëpunimi është të bashkojmë agjencitë tona sepse kultura turizmi dhe kreativiteti janë shtytësit me të rëndësishëm ekonomikë që krijojnë vende pune, nxisin rritjen ekonomike dhe kanë ndikim pozitiv në zhvillimin urban”.

Zhupa dhe Al Raisi diskutuan për risitë dhe temat që po trajtohen në edicionin e parë të Kongresit Global të Medias, si një platformë që ka bashkuar përfaqësues të medieve, organizatave dhe bizneseve nga 6 kontinente.

Në konferencën treditore me temën ”Formësimi i së ardhmes së industrisë mediatike”,  me mbi 1200 pjesëmarrës nga sektori i medias , më shumë se 200 CEO janë përfshirë në 30 sesione dialogu me pjesëmarrjen e 162 folësve ku po diskutohen disa tema kyçe, veçanërisht komunikimi digjital, inteligjenca artificiale, teknologjitë e avancuara dhe inovacioni në sektorin e medias.

Më shumë se 200 marka nga 42 vende shfaqën produktet dhe shërbimet e tyre në ekspozitë.

Edicioni përurues i Kongresit Global të Medias, i organizuar nga ”Capital Events”, që është pjesë e ADNEC Group, filloi dje me një ceremoni hapëse mbresëlënëse. 

Mohammed Jalal Al Rayssi, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë Emirate të Lajmeve (WAM)realizoi një intervistë interaktive me prezantuesin e parë të metaverse, të quajtur Hamad, duke përdorur teknologji që kombinojnë realitetin fizik dhe atë virtual.

Al Raisi është shprehur se “inteligjenca artificiale, teknikat më të reja të shpërndarjes së lajmeve në shumë platforma dhe potenciali i madh i metaverses dhe transformimi që do të diktojë janë të gjitha ndër nxitësit e ndryshimeve të rëndësishme në industrinë mediatike”.

Objekti i kësaj marrëveshje bashkëpunimi mes dy agjencive është zhvillimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e shkëmbimit të lajmeve. ATSH dhe WAM do të shkëmbejnë lajme, foto dhe video për t’i dhënë më shumë akses, ekonomisë, turizmit, kulturës etj.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Zhupa dhe Al Raisi shkëmbyen dhuratat simbolike të rastit.

 

( Sipas ATSH )