RTSH 24 Live

Greqi

Athina zyrtare për qeverinë e Maqedonisë së Veriut: Mos përdorimi i emrit kushtetues, shkelje flagrante e Marrëveshjes së Prespës

24/06/2024

Athina zyrtare për qeverinë e Maqedonisë së Veriut: Mos përdorimi i emrit kushtetues, shkelje flagrante e Marrëveshjes së Prespës

Ministri i Jashtëm grek Giorgos Gerapetritis, ka kritikuar ashpër përsëri Shkupin zyrtar para Këshillit të ministrave të Jashtëm të BE në Luksemburg, për mos përdorimin e emrit kushtetues të vendit.

“Në lidhje me Maqedoninë e Veriut, udhëheqja shtetërore dhe politike e vendit vendosi sistematikisht dhe me këmbëngulje që të mos përdorë emrin kushtetues të saj në diskursin publik brenda vendit. Kjo përbën shkelje flagrante të Marrëveshjes së Prespës, e cila parashikon përdorimin e njëtrajtshëm të emrit Maqedonia e Veriut, brenda dhe jashtë vendit”, ka thënë ai.

Sipas kreut të diplomacisë greke «pajtueshmëria me të drejtën ndërkombëtare dhe marrëveshjet ndërkombëtare janë baza e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare dhe nuk nënkuptojnë zbatimin selektiv të tyre».

Mediat greke transmetojnë sot lajmin se dje gjatë betimit kryeministri i ri i vendit Hristian Mickotski në fjalimin e tij para betimit, sulmoi verbalisht ata që nënshkruan Marrëveshjen e Prespës , duke e paraqitur përdorimin e termit “Veri” si detyrim.

Madje, e cilësoi si “turp” marrëveshjen e Prespës, duke e bërë të qartë në fjalën e tij në Parlament se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të respektonte Kushtetutën dhe ligjet.

“Epitetin e turpshëm do ta them në betim. Na bëtë ta ndiejmë këtë turp dhe për momentin jam i pafuqishëm ta korrigjoj”, ka deklaruar Mickotski para betimit duke ia hedhur fajin kundërshtarëve të tij politikë dhe duke deklaruar paaftësinë e tij për të ndryshuar situatën ekzistuese.

Nga ana e saj , Athina zyrtare thekson se ka qenë gjithmonë forca jetike për integrimin e Ballkanit Perëndimor në familjen evropiane dhe e mbështet këtë perspektive, por ashtu si ka përsëritur edhe ministri i Jashtëm i Greqisë kjo rrugë mund të kuptohet vetëm me miratimin e plotë të së drejtës europiane dhe pajtueshmërinë e plotë dhe të pakushtëzuar me të drejtën ndërkombëtare dhe marrëveshjet ndërkombëtare .