Julian Meçe, një nga autorët që mori pjesë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja në vitin 2019, është kapur në Dubai ndërsa pritet ekstradimi i tij.
47-vjeçari Julian Meçe, i cili njihet edhe si numri dy i bandës së Durrësit akuzohet për tentativë të vrasjes së funksionarëve publikë është kapur pas bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Abu Dhabi.
“Pas shkëmbimit të informacioneve mes dy palëve, kapet në Dubai dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Shqipëri, një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar për disa vepra të rënda penale.
Vijojnë procedurat për ekstradimin në Shqipëri, të 47-vjeçarit të akuzuar si pjesëtar i një grupi të strukturuar kriminal”, thuhet në njoftimin e policisë.
47-vjeçari fshihej në Dubai dhe pas informacioneve të shkëmbyera mes palëve, “është organizuar operacioni policor i koduar “Tentativa”, si rezultat i të cilit është kapur në Dubai dhe është arrestuar me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar: J. M., 47 vjeç”
Sipas policisë, 47-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana pasi Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja e funksionarëve publike” mbetur në tentativë, “Vrasja”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, “Vjedhja” kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve/mjeteve për të kryer vrasje”.
Atentati ndaj Arjan Ndoja në 2019-n
Në vitin 2019, në autostradën Durrës-Tiranë, pranë mbikalimit të Shkozetit, 47-vjeçari Julian Meçe në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin udhëtonin shtetasit Arjan Ndoja (me detyrë prokuror i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës), A. L. dhe shtetasi Andi Maloku. Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën shoferi Andi Maloku dhe dhe janë plagosur shtetasit Arjan Nodja dhe A. L.
Ndërkaq, Interpol Tirana vijon procedurat në bashkëpunim me Interpol Abu Dhabin, për ekstradimin e shtetasit J. M., drejt vendit tonë.
Më herët ditën e sotme u bë e ditur se janë konfiskuar pasuritë e Redjan Rrajës, i cili është dënuar për atentatin ndaj ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoji.
/rtsh.al/