RTSH 24 Live

Rajon

Associated Press- Alarm në BE dhe SHBA nga vendimi i Kosovës kundër dinarit serb: Tensione të panevojshme

04/02/2024

Associated Press- Alarm në BE dhe SHBA nga vendimi i Kosovës kundër dinarit serb: Tensione të panevojshme

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësimin e tyre të thellë të dielën pasi Kosova ndaloi përdorimin e monedhës serbe dhe policia bastisi ambientet e organizatave që punojnë me minoritetin serb në veri të vendit.

Javën e kaluar, policia e Kosovës kontrolloi ambientet e institucioneve të administruara nga Serbia dhe një organizate joqeveritare serbe etnike, duke konfiskuar letra dhe kompjuterë që besohet se mbanin dokumentacion në kundërshtim me ligjet e vendit.

Disa nga dokumentet mbanin emblemën e qeverisë serbe në Beograd, tha policia, ndërsa të tjera i referoheshin strukturave të paligjshme paralele të qeverisë të ngritura nga serbët etnikë, por të papranuar nga Kosova. Policia mbylli disa nga ato zyra.

Shumica e Kosovës përdor euron, edhe pse vendi nuk është pjesë e BE-së. Por pjesë të veriut të Kosovës, të populluara kryesisht me serbë etnikë, vazhdojnë të përdorin dinarin. Shumë mbështeten te qeveria e Serbisë për mbështetje financiare, shpesh të dhëna në monedhën dinarë si para e gatshme.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, po ashtu është shprehur i shqetësuar për përpjekjet e policisë së Kosovës për të sekuestruar veturën që transportonte dinarë serbë, të cilët më pas shpërndahen për “pagesat e përfitimeve sociale nga Serbia”.

Në një deklaratë të BE-së thuhet se mbyllja e këtyre zyrave do të “kishte efekte negative në jetën e përditshme dhe kushtet e jetesës së komuniteteve serbe të Kosovës, pasi do të kufizojë qasjen e tyre në shërbimet themelore sociale duke pasur parasysh mungesën e dukshme të alternativave në këtë moment”.

Duke filluar nga 1 shkurti, Kosova kërkoi që zonat e dominuara nga serbët etnikë të adoptonin monedhën euro, e cila përdoret në pjesën tjetër të vendit, dhe hoqi përdorimin e dinarit serb.

BE-ja i kërkon Kosovës që të shmangë veprimet e njëanshme që mund të rrisin tensionet dhe t'i adresojë këto çështje përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, thuhet në deklaratën e BE-së.

“Këto veprime po rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet etnike dhe si pasojë i kufizojnë opsionet e Shteteve të Bashkuara për të shërbyer si një avokat efektiv për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, tha Hovenier.

Kosova është siguruar që “rregullat e reja të mos kenë ndikim negativ apo të dëmtojnë qytetarët”, sipas zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara po u bëjnë presion të dyja vendeve që të zbatojnë marrëveshjet që presidenti serb, Aleksandar Vuçiç dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti arritën në shkurt dhe mars të vitit të kaluar.

Bisedimet e normalizimit të ndërmjetësuara nga BE- ja kanë dështuar të bëjnë përparim, veçanërisht pas një shkëmbimi zjarri shtatorin e kaluar midis të armatosurve serbë të maskuar dhe policisë së Kosovës që la të vdekur katër persona dhe ngriti tensionet.

Serbia dhe Kosova kanë thënë të dyja se duan të anëtarësohen në BE, por shefi i politikës së jashtme të bllokut, Josep Borrell, ka paralajmëruar se refuzimi i tyre për të bërë kompromis po rrezikon shanset e tyre.

Forcat serbe zhvilluan luftime në vitet 1998-99 me shqiptarët etnikë. Rreth 13,000 njerëz, kryesisht shqiptarë etnikë, vdiqën derisa një fushatë 78-ditore e bombardimeve të NATO-s i largoi forcat serbe. Kosova përfundimisht shpalli pavarësinë në vitin 2008, por qeveria në Beograd nuk e njeh fqinjin e saj si një vend më vete. AP

/rtsh.al/