RTSH 24 Live

Kosovë

Asambleja e KiE votoi pro, Kurti: Vetëm një hap larg anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

16/04/2024

Asambleja e KiE votoi pro, Kurti: Vetëm një hap larg anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Kryeministri Albin Kurti ka përshëndetur vendimin e sotëm (16 prill) të Asamblesë Parlamentare të KiE-së që votoi pro anëtarësimit të Kosovës në organizatë.

Në një postim në Facebook, Kurti shkruan se Kosova është tashmë vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës, teksa faza e fundit është votimi nga ministrat e Jashtëm në muajin maj.

Kurti shprehet optimist për anëtarësimin e Kosovës, teksa shkruan se që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Asambleja Parlamentare i thotë PO Kosovës. Jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Faza e radhës dhe e fundit që na pret është ministeriali në muajin maj. Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses. Megjithatë, puna jonë do të vazhdojë.

Nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut. E me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut. Faleminderit të gjithëve. Urime të gjithëve!”, shkruan Kurti.

Ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, menjëherë pas votimit dha një deklaratë për mediat, duke e konsideruar si një “fitore të Evropës”. Sipas saj, me votimin e sotëm mori përgjigje edhe Serbia.

Ne shpresojmë që pas këtij hapi të rëndësishëm, në maj të mund ta kurorëzojmë me pranimin si anëtare e plotë e Kosovës në KiE, por deri atëherë kemi edhe shumë punë për të bërë. Sot është ditë gëzimi, shpresojmë që Kosova të forcohet edhe më tej në arenën ndërkombëtare. Kjo është një fitore e Evropës, e bashkësisë së shteteve demokratike që sot konfirmuan se Kosova është pjesë e tyre. Është më shumë një votë pro Kosovës, sesa votë kundër diçkaje tjetër. Ne nuk jemi pritur sjellje tjetër nga Serbia, kemi pritur të jenë destruktivë deri në fund, por sot e morën e përgjigjen e tyre dhe shpresojmë që kjo t’u bëhet mësim për të ardhmen sepse Kosova e ka vendin në mesin e shteteve demokratike”, u shpreh ajo.

/rtsh.al/