RTSH 24 Live

Sport

Artet marciale si xhuxhicu, një sport i preferuar për brezin e ri në Sarandë

06/01/2025

Artet marciale si xhuxhicu, një sport i preferuar për brezin e ri në Sarandë

Qyteti bregdetar i Sarandës nuk njihet vetëm për sportin e notit, por edhe për xhuxhicun (o. ju-jitsu), një sport marcial që vitet e fundit po praktikohet nga grupmosha të ndryshme.

Sportisti Thanas Rubije u shpreh se qëllimi i këtij sporti është që fëmijët të jenë më aktivë, të zhvilluar dhe sa më luftarakë.

Studentët e përfshirë së fundmi janë graduar me rripat përkatës. Sportisti Rubije ndër të tjera pohon se këtë sport do të vazhdojë ta ushtrojë sa të ketë mundësi.

"Është një sport që për mendimin tim i heq fëmijët nga rruga, nga veset e këqija, i bën aktivë, luftarake. Në përgjithësi artet marciale janë ato që e zhvillojnë fëmijën, i japin forcë, e çlirojnë nga bullizmi," thotë z. Rubije.

Një ndër ata studentë dhe sportistë që merren me këtë sport marcial është edhe Rigels Dervishi, i cili është graduar së fundmi me rripin blu me tre viza.

Ai shprehet i kënaqur që ky sport po promovon vlera dhe njëkohësisht po frekuentohet nga shumë të rinj.

"Kuptohet që kjo përkthehet në orë e orë të tëra stërvitje, por mbi të gjitha në dashuri e respekt në komunitet," tregon sportisti.

Artet marciale janë mënyrë e mirë për të kontrolluar gjendjen e brendshme dhe për të mësuar disiplinën në jetë.

Gazetare: L. Fili

/rtsh.al/