RTSH 24 Live

Botë

Arrestohet zyrtari i lartë rus, akuzohet për marrje rryshfeti

24/04/2024

Arrestohet zyrtari i lartë rus, akuzohet për marrje rryshfeti

Zëvendësministri rus i Mbrojtjes i ngarkuar për ndërtimin ushtarak, Timur Ivanov u arrestua mbrëmjen e së martës pasi dyshohet për marrje ryshfeti, - njoftoi Komiteti Hetues rus.

Timur Ivanov, 47 vjeç, i cili ishte përgjegjës për projektet e infrastrukturës ushtarake të Rusisë, u arrestua nga shërbimet e FSB të martën vonë në mbrëmje.

Gjykata Basmani e Moskës vendosi të mërkurën që Timur Ivanov të mbahej në paraburgim për dy muaj.

Ai përballet me 15 vjet burg nëse shpallet fajtor.

Në dhjetor të vitit 2022, Fondacioni rus Kundër Korrupsionit, i kryesuar nga lideri i ndjerë i opozitës ruse, Aleksei Navalnij, tha se zv.ministri dhe bashkëshortja e tij bënin jetë luksoze duke udhëtuar nëpër Europë, ndërsa Rusia bombardonte qytetet e Ukrainës.

Ivanov shihej gjerësisht si një i besuar afatgjatë i ministrit të fuqishëm të mbrojtjes, Sergei Shoigu, pasi kishte punuar me Shoigun nëpër agjenci të ndryshme për më shumë se një dekadë.

Timur Ivanov ishte emëruar zëvendësministër me urdhër presidencial në maj të vitit 2016. Ai është i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian, Britania e Madhe dhe Kanadaja.

Shoigu, ministri më jetëgjatë i Rusisë, mori drejtimin e ministrisë së mbrojtjes në vitin 2012 pas mandatit të tij si ministër i shërbimeve të urgjencës. Pavarësisht se u përball me kritika për pengesat ushtarake gjatë luftës, ai ka ruajtur pozicionin e tij dhe konsiderohet gjerësisht si një figurë e besuar nga Putini.

Arrestimi i Ivanov vjen disa javë pasi Putin u bëri thirrje shërbimeve të FSB-së që të shtojnë përpjekjet e saj për të çrrënjosur korrupsionin në prokurimin e mbrojtjes shtetërore.

/rtsh.al/