RTSH 24 Live

Aktualitet

Arrestohet në Kosovë i shumërkuari Gëzim Çela, akuzohet për trafik ndërkombëtar droge dhe grup të strukturuar kriminal

08/12/2023

Arrestohet në Kosovë i shumërkuari Gëzim Çela, akuzohet për trafik ndërkombëtar droge dhe grup të strukturuar kriminal

Gëzim Çela, një personazh shumë i njohur i botës së errët të krimit ndërkombëtar, është arrestuar të premten në Kosovë. Çela akuzohet nga policia shqiptare, si dhe e disa vendeve në Ballkan dhe Evropë, për “trafik droge” dhe “grup të strukturuar kriminal”.

Ai, sipas policisë, konsiderohet edhe si një prej drejtuesve më të mëdhenj të trafikut të kokainës dhe heroinës në Evropë. 

Po sipas burimeve policore, Çela ishte dirigjent i trafikut të drogës që vinte nga Turqia përmes Bullgarisë, Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë, për ta dërguar më pas drejt vendeve Perëndimore. Në qershor të vitit 2014, policia shqiptare dhe ajo kosovare shkatërroi një grup të strukturuar kriminal, i cili trafikonte droga të forta nga Turqia drej Evropës Perëndimore, duke shfrytëzuar edhe territorin shqiptar.

Më 13 qershor 2014, gjatë operacionit të Policisë në shtëpinë e Çelës në Fushë- Kuqe të Mamurrasit, u zbuluan 18 kg kokainë. Nga hetimet e para rezultoi se droga vinte nga Turqia, dorëzohej në vilën në Fushë Kuqe, në pronësi të Gëzim dhe Kujtim Çelës, dhe më pas dërgohej në Fier nga ku nisej drejt Italisë.

"Finalizohet një tjetër operacion me partnerët, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Operacioni policor ndërkombëtar i koduar “Fundi i trishtë”, u zhvillua si rezultat i bashkëpunimit mes Policisë shqiptare, Policisë kosovare dhe agjencive ligjzbatuese të vendeve partnerë strategjikë. Kapet në Kosovë dhe vihet në pranga, një shtetas i kërkuar prej vitesh, nga drejtësia shqiptare dhe ajo italiane. Strukturat e Policisë së Shtetit, pas sigurimit të informacionit nga inteligjenca policore, se në Ferizaj, Kosovë, fshihej një shtetas i kërkuar prej vitesh nga drejtësia shqiptare dhe ajo italiane, menjëherë e kanë shkëmbyer informacionin me Policinë kosovare dhe me agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnerë strategjikë. Policia e Kosovës, bazuar në informacionin e marrë nga Policia shqiptare, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Fundi i trishtë”, gjatë të cilit, në Ferizaj, u kap dhe u vu në pranga shtetasi: Gëzim Çelaj (Çela), 55 vjeç, lindur dhe banues në Krujë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”., njofton policia.

Gjithashtu, ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi ish-Gjykata e Krimeve të Rënda e ka dënuar me 10 vjet e 8 muaj burgim, për veprat penale "Trafikimi i narkotikëve" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municione luftarake", pasi:
-Më datë 12.06.2014, në orët e para të mëngjesit, është kapur në flagrancë shtetasi R. H., me lendë narkotike kokainë, e cila ishte nisur nga Kosova në Shqipëri, për llogari të shtetasit Gëzim Çelaj. Në banesat e këtij të fundit, në Kurbin dhe në Tiranë, janë ushtruar kontrolle dhe janë gjetur dhe sekuestruar 207 kg kanabis sativa, 22 kg heroinë, 500 gramë kokainë dhe 14 armë zjarri të llojeve të ndryshme.
55-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar edhe nga Interpol Roma, Itali, pasi në vitin 2012, autoritetet gjyqësore italiane e kanë dënuar me 19 vjet, 9 muaj e 29 ditë burgim, për kryerjen e veprave penale “Organizator i migrimit ilegal” dhe “Organizatë kriminale për shfrytëzim prostitucioni”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.

Kush është Gëzim Çela?

Gëzim Çela është nga fshati Fushë-Kuqe i Kurbinit. Prej më shumë se 9 vitesh është shpallur person në kërkim nga Policia Shqiptare, i akuzuar për një laborator droge të zbuluar në Fushë-Kuqe dhe një tjetër në Pejë të Kosovës. 

Emri i tij ka nisur të regjistrohet në skedat e Policisë që kur ishte 22 vjeç dhe u dënua për herë të parë nga Gjykata e Triestes në Itali për shfrytëzim prostitucioni.

Për vite me radhë ai është akuzuar e dënuar disa herë në mungesë, në Itali dhe në Shqipëri, por edhe kur është arrestuar nuk ka qëndruar gjatë në burg. Ia ka dalë me raporte mjekësore false, duke shpikur sëmundje që nuk i kishte.

Më 21 nëntor 2012 Gëzim Çela u arrestua në aeroportin “Nënë Tereza” në momentin kur po deportohej nga Turqia pasi kishte kryer dënimin me 6 vjet burg nën akuzën e trafikut të drogës.

U arrestua sepse ishte në kërkim nga Italia, ku akuzohej si kreu i një organizate kriminale shqiptare. Gjykata e Triestes e kishte dënuar me 19 vite burgim. Por ai arriti të lirohet e të shmangë ekstradimin, siç kishte bërë edhe më herët.

Përmes raporteve mjekesore false, të lëshuara nga Spitali Ushtarak, sikur vuante nga kanceri në kocka.

Ai u lirua edhe kur u kap në vitin 2001 me qëllim ekstradimi. Në atë kohë ai ishte i dyshuar edhe për vrasjen e 3 policëve në Udine, ngjarje që më vonë u mbyll dhe u shpall i pafajshëm.

Kërkesat për ekstradim nga Italia, rezulton i dënuar me 22 vite burg

Në kërkesën për ekstradim janë përshkuar disa vendime penale që e shpallin atë fajtor, përveç atij për të cilin është dënuar nga drejtësia shqiptare. Së dyti, në vendimet e dënimit janë përfshirë episode të tjera krimesh, që nuk janë shqyrtuar nga gjykatat shqiptare.

Vendimi i Gjykatës së Modenas, datë 4 prill 2002, i parevokueshëm. Gëzim Çela është dënuar me 4 vjet burgim e 1 mijë euro gjobë. Akuzohet se ka shantazhuar një shtetase me qëllim që ta detyronte të ushtronte prostitucion, si dhe e ka dhunuar duke e goditur me grushte.

Vendimi i Gjykatës së Modenas, datë 12 maj 2004, pjesërisht i riformuar nga vendimi i Gjykatës së Apelit të Bolonjës, datë 5 dhjetor 2006. Gëzim Çela është dënuar 4.5 vite burgim dhe 6 mijë euro gjobe, vendim i parevokueshem që ka marrë formë të prerë më datë 1 qershor 2007. Akuzohet për shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese dhe dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm kufiri.

Vendimi i Gjykatës së Modenas, datë 11 tetor 1995, i parevokueshëm, që ka marrë formë të prerë, më 1 dhjetor 1995. Çelaj është dënuar me 1 vit e 8 muaj burgim dhe 165 euro gjobë. Akuzohet për shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese dhe krijimi i organizatës kriminale.

Vendim i Gjykatës së Udines, datë 12 nëntor 2011, i parevokueshëm, që ka marrë formë të prerë më 7 prill të vitit 2000. Çelaj është dënuar me 2 vjet e 4 muaj burgim dhe 413 euro gjobe. Akuzohet për shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese.

Dënimi i përgjithshëm nga bashkimi i dënimeve, siç rezulton nga urdhri i ekzekutimit të Prokurorisë së Modenas, datë 8 shkurt 2010, është 11 vjet, 10 muaj e 29 dite burgim dhe rreth 8 mijë euro gjobe. I është falur një dënim me 3 vjet burg dhe rreth 900 euro gjobë.

Vendim i Gjykatës së Apelit Trieste, datë 5 dhjetor 2008, që ka marrë formë të prerë më 17 mars 2011. Çela është dënuar me 10 vjet e 11 muaj burgim dhe 150 mijë euro gjobe. Akuzohet për shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese, favorizim i emigracionit klandestin, shoqatë të tipit mafioz dhe të huaj e armëmbajtje pa leje.
Sipas Urdhrit te Ekzekutimit te Prokurorit pranë Gjykatës së Udines, Zyra e Ekzekutimit Penal, datë 28 gusht 2012, në bashkim të dënimeve, për Gëzim Çelën është caktuar një dënim i vetëm prej 22 vjet, 9 muaj e 29 ditë burgim dhe 158 mijë euro gjobë.

Droga e paketuar në Fushë- Kuqe?

Në muajin gusht 2023, policia goditi disa trafikantë droge, të cilët po bënin shkëmbimin e lëndës narkotike, të kokainës me kanabis, në mes të detit Adriatik. Ajo vuri në pranga shtetasit Arlind Ismailukaj, 47 vjeç, banues në Tiranë, ish-shef policie; Nerim Çela, 40 vjeç, banues në Fushë-Kuqe, nipi i Gëzim Çelës i njohur si ‘baroni i kokainës’, i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar në vitin 2014, pasi forcat speciale gjetën në vilën e tij 18 kilogramë kokainë, 150 kilogramë kanabis dhe një laborator lëndësh narkotike. Në të njëjtin aksion në Kosovë u sekuestruan 50 kilogramë heroinë dhe kokainë që dyshohej se ishin paketuar në Fushë Kuqe.

Operacioni “Flakë në det” çoi në pranga edhe Dritan Metajn, ish- shefi i Komisariatit të Laçit, si i përfshirë në trafik droge dhe ‘grup të strukturuar kriminal’.

Në lidhje më këtë operacion edhe 3 persona të tjerë janë shpallur në kërkim, ku mes tyre ishte edhe Gëzim Çela, i cili ndodhej jashtë Shqipërisë. Gëzim Çela, ka qenë i dënuar për “shfrytëzim prostitucioni”. Policia dyshonte se ai dyshohet e përdorte vilën e tij në Fushë- Kuqe për trafik droge.

Çela u arrestua nga policia por u lirua nga gjykata shqiptare me argumentit se ai vuante nga një sëmundje e rëndë. Më pas ai u arrestua sërish se kishte falsifikuar kartelën mjekësore, por u la në “arrest shtëpie”. Kur policia rrethoi shtëpinë e Çelës në Mamurras ai nuk ishte më aty.

“Flakë në det”

Në pranga gjatë operacionit “Flakë në det” ranë edhe Besnik Brokeri, 51 vjeç, banues në Vlorë dhe Armando Mema, 37 vjeç, banues në Tiranë. Po ashtu u arrestuan edhe dy shtetas nga Ukrania Kyrylo Ponomarenko, 39 vjeç dhe Kostiantyn Biellon, 44 vjeç. Dy ukrainasit të cilët udhëtonin me velierën me drogë, ishin nisur nga Mali i Zi. Ata i vunë flakën velierës dhe tentuan të ikin me një varkë shpëtimi, por u arrestuan. Në det policia gjeti 23 kg kanabis pranë vendit ku u fundos veliera e djegur. 

Në të njëjtën kohë që bëhej ndërhyrja nga deti, efektivët e Repartit “RENEA” kanë ndërhyrë nga toka, në ambientet e një restoranti në lagunën e Patokut, ku po qëndronin disa shtetas që dyshohet se kishin lidhje me tentativën për të trafikuar lëndë narkotike. 

Në vijim të veprimeve, në bashkëpunim me SPAK-un, u bë arrestimi për veprat penale ‘Trafikimi i lëndëve narkotike”, “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizatat kriminale” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municioneve luftarake”.

Balla: Pandërshkueshmëria do të marrë fund ndaj kujtdo

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar pas arrestimit të Gëzim Çelës në Kosovë. Sipas tij, forca e ligjit do të godasë mbi këdo dhe pandërshkueshmëria do të marrë fund ndaj kujtdo që kujton se do të vazhdojë t’i fshihet drejtësisë.

“Përgëzoj Policinë e Shtetit, e cila në bashkëpunim me një agjenci të rëndësishme partnere dhe me strukturat ligjzbatuese të Republikës së Kosovës kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit Gëzim Çela, një person i dënuar dhe i kërkuar prej shumë kohësh nga drejtësia në Shqipëri”, shkruan Balla.

/rtsh.al/