RTSH 24 Live

Kronika

Arrestohet Fatjon Murati, u kap duke lëvizur në makinë me Indrit Doklen

08/10/2022

Arrestohet Fatjon Murati, u kap duke lëvizur në makinë me Indrit Doklen

Fatjon Murati, i shpallur në kërkim, është arrestuar mbrëmjen e kësaj të shtune, ndërsa  u kap teksa po lëvizte me makinë me Indrit Doklen. Ky i fundit është shoqëruar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku po merret në pyetje.

Policia njofton se ata u kapëm pas kontrolleve “blic”, ndërsa në makinë me ta ishte edhe një person i tretë me inicialet G. R.

Në kuadër të kontrolleve “blic” për kapjen e personave në kërkim, bazuar dhe në infomacionet e marra në rrugë operative për një shtetas në kërkim që qarkullonte me automjet, nga shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, është organizuar puna dhe është kapur shtetasi në kërkim F. M 32 vjeç, banues në Tiranë, i cili shoqërohej bashkë me dy shtetas të tjerë, E. D., 39 vjeç, dhe G. R., 39 vjeç. Në vijim të veprimeve u bë ndalimi i shtetasit F.M., i cili ishte shpallur në kërkim pasi në bazë të një procedimi penal të këtij viti, ka rezultuar se është bashkëpunëtor (posedues i armëve) me shtetasin  K.Gj, i cili është arrestuar në kuadër të operacionit “Ruger”, të zhvilluar me datë 12.07.2022. Ndërsa për shtetasit E.D dhe G. R., të cilët udhëtonin me 32-vjeçarin, po vijojnë veprimet hetimore”, njofton Policia.

Murati ishte shpallur në kërkim për "armëmbajtje pa leje", por emri i tij del edhe në atentatin me 3 të vrarë në Fushë Krujë, ku humbën jetën Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata. Prokuroria kërkoi marrjen në pyetje të Muratit, ndërsa nuk dihen lidhjet e tij me masakrën me 3 të vrarë.

Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata u vranë në një atentat të mirë organizuar më 17 korrik, teksa po lëviznin me makinë. Ende nuk ka asnjë autor të dyshuar për ngjarjen, ndërsa viktimat ishin po ashtu persona me precedent penal. Brilant Martinaj ishte kushëriri i Ervis Martinaj, person i cili njihet për armiqësinë e tij me Doklen. Martinaj rezulton i zhdukur prej javësh tashmë dhe për fatin e tij nuk ka ende asnjë informacion.

Nga ana tjetër, kujtojmë se Indrit Dokle ka qenë më parë i dënuar me burgim të përjetshëm për një seri vrasjesh të kryera në kuadër të bandës së Durrësit. Ai u lirua dy vite më parë nga Gjykata e Krujës, me argumentin se ka kryer 3 të 4 e dënimit dhe për sjellje të mirë në burg.

/rtsh.al/